Politike
Lulzim Basha, mesi i artë si kandidat për Tiranën, Mediu le të hapur mundësinë

Edhe pse Partia Demokratike nuk e ka ende një emër të përzgjedhur për ta vënë përballë socialistes Ogerta Manastirliu për Bashkinë e Tiranës, brenda forcës politike opozitare kanë nisur negociatat për një kandidat.
Fatmir Mediu, kreu i Partisë Republikane tha se ka nevojë që kandidati të mos jetë një figurë politike, pasi këto të fundit janë pjesë e paragjykimeve, çka sjell rezultate negative.
“Megjithatë, unë e them me bindje, ajo që duhet është të tejkalojmë figurat politike. Figurat politike ndajnë opozitën, për shkak të gjykimeve dhe paragjykimeve që janë. Edhe Fatmir Mediu, nuk përjashtohet nga ky paragjykim”, tha ai.
Por a mos është një garë shumë e fortë për t’ia besuar një të riu? Për Mediun, debati për nevojat e qytetarëve është më i fortë në përballje me qeverinë.
“E fortë do të jetë debat mes asaj se çfarë kanë nevojë qytetarët dhe asaj se çfarë kemi ne si realitet, të një bashkie plotësisht të manipuluar, të kontrolluar, me procese tërësisht të korruptuara në bashkëpunim me qeverinë. Përballë kësaj, unë mendoj që debate që duhet të bëjë opozita, nuk është thjesht debati i mazhorancës, por përfshirja e qytetarëve.
Një kandidaturë e cila vjen si bashkëpunim i forcave politike, nëse është e mundur, padyshim do jetë rruga më e mirë për të zgjidhur këtë situatë. Unë mendoj se opozita ka nevojë për përfshirjen e sa më shumë qytetarëve në proces, për përfshirjen e sa më shumë autoriteteve që ndoshta janë më afër opozitës apo janë opozitare me qeverinë dhe nuk bëjnë pjesë në nivelin e drejtimit politik të opozitës”, tha ai.
Nëse ish-demokrati, Lulzim Basha do të ofrohej për të kandiduar për Tiranës, mos ndoshta kjo do të ishte një vijë e kuqe për opozitën? Mediu nuk dha një përgjigje të prerë për këtë gjë, por gjithashtu as nuk e mohoi mundësinë e përfshirjes së Bashës në këtë proces. Sipas tij, për aq kohë sa është rezultat me konsensusin e të gjithë anëtarëve të partisë, bëhet e vlefshme politikisht.
“Unë mendoj se figurat politike pranohen atëhere kur pranohen nga të gjithë. Prandaj është më mirë të kemi një proces diskutimi të përbashkët të figurave, për sa i përket atyre që do kandidojnë dhe pas saj të bëhet përzgjedhja me konsensus. Çdo gjë me konsensus është e vlefshme politikisht, jo vetëm për opozitën, por edhe për Shqipërinë”, tha ai.
Kujtojmë se Partia Demokratike ka nisur negociatat me kreun e Partisë Republikane, Fatmir Mediun, si dhe atë të Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka.

