Connect with us

Politike

Nuk janë as Balluku e as Agasi/ Paloka: Të gjitha skandalet e mëdha kanë vetëm një emër pas, është Edi Rama

Skandalet që kanë tronditur qeverinë shqiptare vitet e fundit, nga ai i Saimir Tahirit te Belinda Balluku e së fundmi Ergys Agasi, nuk janë çështje të izoluara të individëve të korruptuar, por pjesë e një skeme të vetme që ka një kokë të përbashkët: Kryeministrin Edi Rama. Ky është thelbi i një akuze të fortë, ku theksohet se emrat e lakuar në media janë thjesht “kukulla” që përdoren dhe zëvendësohen sipas nevojës.

Sipas Edi Palokës që ishte i ftuar në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në Syri tv, “zyrtarët e lartë, përfshirë ministra dhe zëvendëskryeministra, veprojnë si marioneta fijet e të cilave lëvizen nga kreu i qeverisë”. “Pa ekzistencën e Edi Ramës në pushtet, asnjë nga këta individë nuk do të kishte mundësi të përfshihej në afera të tilla”, shprehet Paloka gjatë bisedës me moderatorin e emisionit Flavio Qarri.

“Sa të ekzistojë Edi Rama, emra të tjerë do të dalin,” është paralajmërimi, duke sugjeruar se sistemi është ndërtuar për të prodhuar vazhdimisht skandale me protagonistë të ndryshëm, por me të njëjtin regjisor.

Një tjetër pikë kritike e ngritur është ajo ndaj sistemit të drejtësisë. Dënimet e dhëna për rastet e mëparshme, si ai i ish-ministrit Tahiri, cilësohen si “qesharake” dhe të dhëna për akuza anësore, si “udhëtime me Habilajt”, duke shmangur thelbin e korrupsionit. Më tej, theksohet se asnjë prej të dënuarve nuk ka kthyer paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme, duke bërë që ata të vazhdojnë të gëzojnë pasurinë e vjedhur.

Në mënyrë specifike, rasti i Ergys Agasit përshkruhet si shembulli tipik i kësaj skeme. Ai cilësohet si një personazh pa peshë, një “hiç”, i cili u përzgjodh dhe u fuqizua nga Kryeministri për të menaxhuar lidhjet e dyshimta. Sipas burimit, fuqia e tij për të kërcënuar ministra, për të marrë pengje apo për të përdorur grupe kriminale nuk buron nga aftësitë e tij, por direkt nga mbështetja e Ramës.

Akuza është e qartë sipas Palokës, “përgjegjësia për hemorragjinë financiare dhe skandalet e njëpasnjëshme nuk duhet kërkuar te emrat e radhës që dalin në skenë, por te personi që qëndron në majë të piramidës”. “Kjo e zhvendos fokusin nga individët te sistemi i ngritur, duke pretenduar se çdo zyrtar i përfshirë është thjesht i zëvendësueshëm, ndërsa koka mbetet e njëjtë”.

Flavio Qarri: Për të kuptuar ku është manovra politike për imunitetin, për kokën e Ballukut dhe mbi të gjitha në një shans për të frenuar hemorragjinë financiare që me sa duket vazhdon të ndodhë.

Edi Paloka: Do të doja të bëja një korrigjim fillimisht, jo vetëm ty, korrigjim në thonjëza. Sepse doja ta bëja në fakt që dje një status, një shkrim lidhur me këtë çështje. Po përmendet Belinda, Ergy Sagasi e me radhë, në 12 vite, në 13 vite kemi pasur skandalin Tahiri, skandalin Beqja, skandalin e skandalin e skandalin e skandalin me radhë, me nga një emër pas. Në fakt ka qindra skandale që lidhen me një emër dhe ai është Edi Rama. Të gjithë këta të tjerët, Belinda Balluku, Ergysi, Sajmiri, e tjetri e tjetri, mos t’i përmend me radhë, se janë qindra skandalet, jo një. Kanë të gjitha,a një të përbashkët, Edi Ramën. Në qoftë se nuk do ekzistonte Edi Rama, asnjë prej këtyre nuk do ekzistonte.

Dhe sa të ekzistojë Edi Rama, emra të tjerë do të dalin. Këto janë thjesht kukulla që përdoren nga Rama si ato, kukullat prej druri që ju lëvizen fijet nga aktori. Të njëjtët janë këta, pavarësisht emrit të madh që mund të kenë, zëvendëskryeministra, ministra, koordinator me krimin.

Të gjithë janë kukulla të zëvendësueshme sa të jetë Edi Rama aty. Pra edhe njëherë, duke dalë pastaj tek përgjigja që më kërkon, ka një personazh dhe qindra skandale që mund të marrin emra të ndryshëm në kohë, por që në fakt kanë vetëm një kokë dhe vetëm një emër, ai është Edi Rama.

Flavio Qarri: Dhe meqë jemi te standardet. Tahiri, me sa mbaj mend unë, u dënua për udhëtime me Habilajt.

Edi Paloka: Të gjithë. Asnjë nuk është dënuar për korrupsion.

Flavio Qarri: Po pra, për udhëtimet me Habilajt dhe për një udhëtim avioni e shoqja e Tahirit po me të njëjtat njerëz. Po udhëtimet me Gysin?

Edi Paloka: Ka dy elementë, meqë i përmende dënimet. Në gjithë këto, në gjithë këtë farsë do të thoja unë, të dënimeve të gjoja bashkëpunëtorëve të Ramës. Dënimet kanë qenë qesharake, me akuza qesharake, duke pasur parasysh se cilat duhet të ishin akuzat e vërteta dhe cilët kanë qenë krimet e vërteta të tyre. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, asnjë prej tyre nuk ka dorëzuar një qindarkë nga paratë e vjedhura shqiptarëve. Të gjithë vazhdojnë të gëzojnë paratë që na kanë vjedhur ne, ashtu siç planifikohet të bëhet dhe me këta që që do vijnë mbrapa.

Sa për udhëtimet, thashë ky Gys Agasi, po ta them unë, unë kam njohur të atin. Bardhyl Agasin dhe nuk e di domethënë, sigurisht edhe nga gjembi del trëndafili dhe anasjelltas, potë jesh i bindur që kjo qenie, domethënë që ka marrë vërtet gjithë këtë pompozitet, është një nga viktimat e Ramës.

Çfarë bëri Rama? Jo vetëm me këtë. Ky është përzgjedhur i tillë për t’u përdorur, për të futur lidhjet. Ku e mori ky një hiç? Ky është një hiç, më. Ka qenë një hiç dhe është një hiç si personazh. Edhe me çfarë kam informacion unë dhe sa e njoh unë. E, se kam qenë dy herë në Durrës unë, kryetar qarku.

Flavio Qarri: Po.

Edi Paloka: Ky ka marrë pjesë një herë në fushatën e tërë Kokës, një nga kalamajtë aty që don… Janë aventurierë që duan të bëhen si i rëndësishëm. Kaq. Ky u gjet, u mor dhe gjithë kjo fuqia e këtij, që tashmë kërcënon ministra, merr pengje, dërgon banditë për të marrë pengje, për të kërcënuar e për të rrahur e mbase edhe për të vrarë, se do t’i shohim dhe këto, ky e ka prej Ramës. Nuk e ka se është ky personazhi i fuqishëm. Prandaj them, sa të jetë Rama do ketë raca këtyre sa të duash. I merr Rama, i fuqizon, i jep pushtetin e tij dhe këta bëhen të fortë. Dhe kështu i ka marrë në qafë, jo vetëm këta….

Advertisement