Kronike
Kush është viktima e tritolit në Shkodër? Historia e gjakmarrjes me fisin Çekorja dhe dënimi i vëllait për vrasje
Një shpërthim i fuqishëm tronditi sot zonën e Perashit në Shkodër, ku si pasojë humbi jetën Hysni Ymeri. Vdekja e 67-vjeçarit është e rrethuar nga misteri dhe siç duket vetëm përfundimi i ekspertimit mjeko-ligjor, do të përcaktojë përfundimisht shkakun, nëse ishte lëndë plasëse apo rryma elektrike në panelet e energjisë së pallatit.
Ngjarja misterioze ka bërë konfuzë specialistët e kriminalistikës. Sipas mjekëve, viktima ka djegie në krah dhe kokë të shkaktuara nga rryma elektrike, ndërsa sipas Antiterrorin janë konstatuar disa gjurmë eksplozivi. Ndërkohë, OSHEE ka njoftuar se është e pamundur që një linjë 400 kilovolt të shkaktojë atë shpërthim. Por nëse ky është një akt kriminal, hetuesit përqendrohen tek pista e hakmarrjes, për shkak të kaluarës së familjes Ymeri dhe ngjarjeve që kanë pasuar në fis gjatë 35 viteve.
Por kush është viktima Hysni Ymeri?
67-vjeçari Hysni Ymeri është vëllai i një personi të dënuar me burg për një vrasje të ndodhur shumë vite më parë në Shkodër. Konkretisht, në vitin 1995 në Kiras është vrarë Shefqet Çekorja nga vëllai i Hysni Ymerit. Pas asaj ngjarje autori është arrestuar nga policia e cila e zbardhi atë vrasje dhe është dënuar nga gjykata.
Ndërkohë disa vite më pas, dy familjet kanë shtrirë dorën e pajtimit. Shefqet Çekorja është vëllai i Ismet Çekores që u vra në shtatorin e vitit 2022 në afërsi të banesës. Djali i Hysni Ymerit i cili jeton jashtë Shqipërisë ka ardhur me 25 dhjetor për shkak se nëna e tij vuan nga kanceri dhe mjekët nuk i kanë dhënë shumë kohë për jetën nënës.
Ndërkohë që edhe sot përpara ngjarjes, ai ndodhej në spital me nënën. 67-vjeçari pasi ka pirë një kafe si çdo ditë me shokët e lagjes është çuar nga lokali për të shkuar në shtëpi dhe më pas në spital tek bashkëshortja por sapo është futur brenda hyrjes së pallatit në katin e parë ndodhi shpërthimi i fuqishëm.
Hysni Ymeri deri në spital ka shkuar gjallë, por fatkeqësisht nuk ka mundur tu mbijetojë plagëve të rënda në kokë. Gjithashtu, disa vite më parë djali i xhaxhait i Hysni Ymerit vrau bashkëshorten e tij dhe më pas qëlloi edhe vetveten. Ndërkohë një kushëri tjetër, shtetasi Dritan Ymeri vrau në 2017 shtetasin Ilir Aliaj, mjek në profesion në Shkodër pas një konflikti pronësie.
Autori arriti t’i shpëtojë policisë dhe dyshohet se ndodhet jashtë Shqipërisë prej asaj kohe. Policia po pret vendimin final të antiterrorit nëse ka patur apo jo shpërthim me tritol për t’i dhënë më pas orientimin e duhur hetimeve dhe për ta ndarë nëse është kriminale apo aksidentale.