Connect with us

Bota

Meloni në anën e Trump, Macron: Venezuela është çliruar! Gjermania: Presim zgjidhje politike

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni mbrojti sulmin e SHBA-së në Venezuelë, duke e quajtur atë një “mbrojtje” legjitime, edhe pse pretendon se forca ushtarake e jashtme nuk duhet të përdoret për ndryshimin e regjimit.

“Qeveria beson se veprimi ushtarak i jashtëm nuk është mënyra për t’i dhënë fund regjimeve totalitare, por në të njëjtën kohë e konsideron të ligjshme ndërhyrjen mbrojtëse kundër sulmeve hibride ndaj sigurisë së saj, si në rastin e subjekteve shtetërore që nxisin dhe promovojnë trafikun e drogës”, tha Meloni në një deklaratë.

Në një postim në X, Meloni u shpreh se Italia nuk e ka njohur kurrë fitoren e vetëshpallur të Maduro-s.

Italia, së bashku me partnerët kryesorë ndërkombëtarë, nuk e ka njohur kurrë fitoren e vetëshpallur të Maduro-s, duke dënuar aktet e represionit të regjimit dhe gjithmonë ka mbështetur aspiratën e popullit venezuelian për një tranzicion demokratik. Koherent me pozicionin historik të Italisë, qeveria vlerëson se veprimi i jashtëm ushtarak nuk është rruga për të përfunduar regjimet totalitare, por konsideron legjitim një ndërhyrje mbrojtëse kundër sulmeve hibride ndaj sigurisë së vet, si në rastin e entiteteve shtetërore që ushqejnë dhe favorizojnë trafikun e drogës. Ne vazhdojmë ta ndjekim me vëmendje të veçantë situatën e komunitetit italian në Venezuelë, siguria e të cilit përbën prioritetin absolut të qeverisë.”

Italia gjithmonë ka mbështetur aspiratën e popullit venezuelian për një tranzicion demokratik në Venezuelë, duke dënuar aktet e shtypjes nga regjimi i Maduros, fitorja e vetëshpallur zgjedhore e të cilit nuk është njohur kurrë nga Italia ose partnerët e saj kryesorë ndërkombëtarë.

Ndërkohë Ministri i Jashtëm i Francës tha se operacioni ushtarak amerikan që çoi në kapjen e Presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, shkel parimet e së drejtës ndërkombëtare mbi përdorimin e forcës.

Lidhur me sundimin e Maduros, Jean-Noel Barrot tha se duke ia marrë pushtetin popullit venezuelian dhe duke i privuar ata nga liritë themelore, Maduro “shkaktoi një shkelje të rëndë të dinjitetit të tyre dhe të drejtës së tyre për vetëvendosje”.

“Operacioni ushtarak që çoi në kapjen e Nicolas Maduros bie ndesh me parimin e mospërdorimit të forcës që mbështet të drejtën ndërkombëtare. Franca kujton se asnjë zgjidhje politike e qëndrueshme nuk mund të imponohet nga jashtë dhe se vetëm popujt sovranë vendosin për të ardhmen e tyre,“-tha Jean-Noel Barrot.

Po ashtu, Ministria e Jashtme e Gjermanisë bëri thirrje për një zgjidhje politike në Venezuelë, ku Shtetet e Bashkuara sulmuan dhe kapën udhëheqësin Nicolas Maduro.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të shmangin një përshkallëzim të situatës dhe të kërkojnë mënyra për një zgjidhje politike”, thuhet në një komunikim me shkrim.

Vetë Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se largimi i Nicolás Maduro-s hap një kapitull të ri për Venezuelën, duke theksuar nevojën për një tranzicion të qetë dhe respektues të vullnetit të popullit.

Populli venezuelian sot është i çliruar nga diktatura e Nicolás Maduro-s dhe nuk mund të bëjë gjë tjetër veçse të gëzohet. Duke konfiskuar pushtetin dhe duke shkelur liritë themelore, Nicolás Maduro ka sjellë një dëm të rëndë ndaj dinjitetit të popullit të tij.  Tranzicioni që vjen duhet të jetë paqësor, demokratik dhe respektues i vullnetit të popullit venezuelian. Ne shpresojmë që Presidenti Edmundo González Urrutia, i zgjedhur në vitin 2024, të mund ta sigurojë sa më shpejt këtë tranzicion.  Aktualisht jam në bisedime me partnerët tanë në rajon. Franca është plotësisht e angazhuar dhe vigjilente, veçanërisht për të siguruar mbrojtjen e shtetasve të saj në këto orë pasigurie.”, tha presidenti francez Emmanuel Macron.

Kryeministri Keir Starmer tha se Britania nuk ishte e përfshirë në sulmet e Shteteve të Bashkuara ndaj Venezuelës të shtunën dhe se është e rëndësishme të respektohet e drejta ndërkombëtare.

Advertisement