Kronike
Arratisja e Altin Ndocit, arrestohen 6 efektivët
8 persona janë arrestuar nga Policia e Durrësit pas arratisjes së kriminelit Altin Ndoci nga spitali i Durrësit, bëjnë me dije burime.
Arrestimet i ka kryer Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve.Bëhet fjalë për 6 efektivët e policisë që u morën me shoqërimin e të burgosurit., zv/shefi i policisë së burgut (se shefi ishte me leje) si dhe kryeinfermieri i spitalit.
Pasi u arratis nga Spitali i Durrësit ku po merrte mjekim, ende nuk ka asnjë gjurmë nga Altin Ndoci, i cili dyshohet të ketë qenë një prej ushtarëve të grupit Çopja.
39-vjeçari ndodhej në paraburgimin e Durrësit, ndërsa emri i tij është i njohur në botën e krimit dhe hetohet nga SPAK me disa akuza.
Ndoci njihet si person i ‘rekrutuar’ nga Talo Çela, dhe në dosjen e SPAK akuzohet për përkrahja e autorit të krimit, konkretisht këtij të fundit, gjatë viteve 2020 – 2021 në qytetet Tiranë, Durrës dhe Elbasan, në lidhje me vrasjen e Dorian Shkoza, Anxhelo Avdia, Besmir Haxhia e Viktor Haxhia.
Po ashtu ai akuzohet për “Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave, e kryer më shumë se një herë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, (në rolin e pjesëmarrësit) dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Si ndodhi arratisja?
Rreth orës 13.00 të së martës ai është shoqëruar së bashku me një të dënuar tjetër nga dy efektivë policie në pavionin e infektivit. Në pritje të vizitës mjekësore ai ka kërkuar të shkojë në tualet. Me të dalë nga aty ka përfituar dhe ka goditur në befasi efektivin e policisë së burgjeve që po e ruante dhe menjëherë është larguar me vrap, ku e priste një automjet tip Audi i bardhë me të cilin është larguar.
Efektivi që e ndoqi Ndocin në arratinë e tij ka qëlluar me armën e tij të shërbimit në tokë dhe plumbi ka bërë rikoshet. Predha e tij përfundoi në shkallët e Infektivit, ndërsa gëzhoja e tij nuk është gjetur ende.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se nuk janë respektuar protokollet e shoqërimit për numrin e efektivëve të policisë së burgjeve që duhet të shoqërojnë personat e paraburgosur apo të dënuar gjatë vizitave të tyre mjekësore.