✦
Thinking ...
Connect with us

Kronike

ZBARDHET plani për vrasjen e “mbretit” të kumarit, do ekzekutohej në mes të detit në Dhërmi

Dosja e SPAK zbulon detaje të reja mbi planin për eliminimin e Ervis Martinajt në verën e vitit 2020. Sipas hetimeve, Leonard Duka, kreu i të ashtuquajturit “Klani Duka”, dhe Fatmir Hyseni, i njohur si “Doqja”, dyshohet se kishin organizuar lokalizimin dhe vrasjen e biznesmenit të basteve në zonën e Dhërmiut, në fund të korrikut të atij viti.

Informacioni për vendndodhjen e mundshme të Martinajt ishte siguruar nga Leonard Duka, i cili dyshohet se kishte mësuar se ai mund të ndodhej në plazh, i shoqëruar nga një femër, në një prej disa ambienteve të zonës, të njohura si “Vin Bakalli”, Hotel Jaht ose Splendor. Këtë informacion ia kishte përcjellë Fatmir Hysenit, i cili, sipas dosjes, kishte nisur menjëherë veprimet për verifikimin e tij.

Hyseni dyshohet se kishte dërguar një person, të cilit i referohej me emrin “nipçe”, për të kontrolluar zonën. Ndërkohë, më 28, 29 dhe 30 korrik 2020, Duka dhe Hyseni kishin angazhuar persona të tjerë për të monitoruar vijën bregdetare nga Dhërmiu në Himarë, me qëllim identifikimin e vendndodhjes së Martinajt.

Sipas hetimeve, për realizimin e atentatit ishte siguruar edhe logjistika e nevojshme, përfshirë armë, automjete dhe banesa në zonë. Një prej personave të përfshirë në përpjekjet për lokalizimin e Martinajt ishte edhe Drianto Bardhi, i cili kishte udhëtuar drejt Dhërmiut dhe Himarës së bashku me një person tjetër, ende të paidentifikuar. Atje, ata ishin takuar edhe me personin që Fatmir Hyseni e thërriste “nipçe”.

Megjithatë, nga dokumentet hetimore nuk rezulton se si dështoi konkretisht plani dhe çfarë e pengoi realizimin e atentatit. Dosja nuk pasqyron një vijim të mëtejshëm të këtyre veprimeve.

Dy vite më vonë, në fund të korrikut 2022, Ervis Martinaj u zhduk pa lënë gjurmë. Biznesmeni, i njohur për aktivitetin në fushën e basteve dhe lojërave të fatit, vijon të jetë i zhdukur. Për fatin e tij janë ngritur disa pista dhe hipoteza, por deri më tani nuk ka një përfundim zyrtar që të sqarojë se çfarë ka ndodhur.

Këtë të enjte, më 5 nëntor 2026, SPAK ka paraqitur pretencën për çështjen që lidhet me tentativën për vrasjen e Martinajt, duke kërkuar 16 vite burg për Leonard Dukën dhe Drianto Bardhin. Të dy akuzohen për përfshirjen në këtë plan, ndërsa pretendimet e prokurorisë do të shqyrtohen nga gjykata.

Advertisement