✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

“Bonus qiraje për 15 familjet”/ Kryebashkiaku i Elbasanit jep detaje nga shpërthimi në pallat

15 familjet e prekura nga shpërthimi në pallatin në Elbasan janë akomoduar përkohësisht në ambientet e një konvikti të bashkisë dhe do të përfitojnë bonus qiraje deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare. Lajmin e bëri të ditur kryebashkiaku Gledian Llatja

Sipas Llatjas, mbështetja financiare do t’u mundësojë familjeve të zhvendosen në banesa të tjera, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë ndërhyrjen që do të kryhet në pallatin e dëmtuar. Në diskutim janë dy alternativa: shembja vetëm e pjesës së dëmtuar ose prishja e të gjithë ndërtesës dhe ndërtimi i saj nga e para.

Kryebashkiaku sqaroi se aktualisht po vlerësohet mundësia e demolimit të pjesës së dëmtuar rëndë, ndërsa pjesa tjetër e strukturës mund të përforcohet ose të shembet, në varësi të ekspertizës teknike.

“Momentalisht familjeve u është dhënë mundësia që të akomodohen në strukturat e bashkisë, provizorisht. Zgjidhja tjetër provizore deri në gjetjen e zgjidhjes përfundimtare për ndërtimin e godinës së re për prishjen e saj ose marrjen e një vendimi përfundimtar, do të jetë bonusi i qirasë. Në bazë të legjislacionit shqiptar, këto familje do të përfitojnë bonusin e qirasë për t’u spostuar në një banesë tjetër. Bashkia do të mbështesë 15 familjet me bonusin e familjes gjatë periudhës provizore”, tha Llatja.

Llatja hodhi poshtë pretendimet për vonesa në ndërhyrjen e shërbimit zjarrfikës. Ai deklaroi se dy mjete zjarrfikëse dhe një autoshkallë mbërritën menjëherë në vendngjarje, ndërsa ndërhyrja nisi me nxjerrjen e banorëve dhe vijoi me evakuimin e personave që ndodheshin në katet e larta.

“Zjarrfikëset fatmirësisht, stacioni është pranë unazës së qytetit dhe nuk ka pasur vonesa për reagimin. Menjëherë në vendngjarje kanë ardhur 2 mjete bashkë me autoshkallën. I gjithë stacioni zjarrfikës ka qenë në gatshmëri, më pas kanë ardhur edhe forcat e tjera. Nuk është e vërtetë që ka pasur problematika për ndërhyrjen, është ndërhyrë që në momentin e parë, fillimisht me nxjerrjen e banorëve, më pas me evakuimin e banorëve të kateve të larta”, tha Llatja.

Sa i përket situatës shëndetësore, kryebashkiaku bëri të ditur se në spitalin e Elbasanit nuk ndodhet më asnjë prej banorëve të prekur. Sipas tij, 10 persona janë paraqitur në spital pas ngjarjes, ku kanë marrë ndihmën e parë dhe kanë kryer analizat përkatëse, përpara se të largoheshin.

“10 personat që janë paraqitur pranë spitalit të Elbasanit kanë ndenjur mesatarisht 30 minuta për të marrë shërbimin e parë dhe bërë analizat përkatëse. Pas kësaj, nuk ka pasur më frekuentim nga banorët. Momentalisht pallati është i izoluar, është marrë në dorëzim nga forcat e Policisë për ta ruajtur sepse banorët kanë ende sende personale. Një pjesë e tyre i kanë marrë sendet, do të vijojë edhe nesër, e monitoruar nga forcat zjarrfikëse sepse kati i pestë i strukturës ka rrezikshmëri të lartë për dëmtimin dhe rrëzimin e saj, të shkaktojë dëme në njerëz dhe të jetë më problematike”, përfundoi Llatja.

Ndërkohë, pallati vijon të jetë i izoluar dhe nën mbikëqyrjen e forcave të Policisë dhe zjarrfikësve. Banorët po lejohen të marrin sendet personale në mënyrë të kontrolluar, pasi në ndërtesë, veçanërisht në katin e pestë, ekziston rrezik për dëmtime të mëtejshme dhe shembje të strukturës.

Advertisement