✦
Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

Ambasada e SHBA në Tiranë jep alarmin: Kujdes nga mashtruesit e vizave!

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka përsëritur paralajmërimin për mashtrimet me vizat amerikane, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos besojnë individë apo agjenci që premtojnë sigurimin e vizës kundrejt pagesave.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada thekson se asnjë person i tretë nuk mund të garantojë miratimin e një vize apo të ndikojë në vendimmarrjen e autoriteteve konsullore. Sipas saj, ofertat që premtojnë rezultate të sigurta shpesh synojnë të përfitojnë financiarisht nga aplikantët.

Në mesazhin e saj, selia diplomatike u kërkon qytetarëve të raportojnë çdo rast të dyshuar mashtrimi ose keqpërdorimi që lidhet me procesin e vizave amerikane.

“Raporto Mashtrimin me Visa”, është thirrja e ambasadës, e cila thekson se Departamenti Amerikan i Shtetit i trajton me seriozitet të gjitha pretendimet për mashtrim dhe shkelje të ligjeve që rregullojnë pajisjen me viza.

Autoritetet amerikane inkurajojnë qytetarët të japin sa më shumë informacion dhe të dhëna identifikuese gjatë denoncimit, në mënyrë që rastet të mund të hetohen. Raportimet mund të bëhen edhe në mënyrë anonime, por dhënia e emrit dhe adresës elektronike mund të lehtësojë kontaktin nëse nevojiten sqarime të tjera.

Ambasada u bën thirrje aplikantëve të ndjekin vetëm procedurat zyrtare dhe të mos paguajnë ndërmjetës që pretendojnë se mund të sigurojnë miratimin e vizës amerikane.

Advertisement