Connect with us

Politike

Qeveria nuk rrëzohet, opozita nuk reformohet

Ka një qetësi të çuditshme në politikën shqiptare. Një qetësi që nuk vjen nga stabiliteti, por nga mpirja. Ministrat akuzohen për korrupsion, dosjet zvarriten, drejtësia përplaset me pushtetin dhe kryeministri vazhdon propagandën sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Është ajo që analisti Ben Andoni e përkufizon si “qetësia para stuhisë”, një gjendje ku gjithçka duket se lëviz, por asgjë nuk ndryshon.

Në një intervistë Andoni thotë, ndër të tjera, se përballë akuzave të rënda për korrupsion, mazhoranca zgjedh strategjinë e vjetër të mbijetesës: zhurmë, propagandë dhe konsum ditor lajmesh, derisa skandali i radhës ta zëvendësojë të mëparshmin.

Analisti flet për një situatë ku të gjitha palët duken të interesuara të ruajnë status quo-në. Bashkëpunimi i heshtur Rama–Berisha është tashmë gjithnjë e më i dukshëm, një marrëveshje për të ruajtur të pandryshuar situatën, ku secila palë ka interesin e vet: qeveria të mos rrëzohet dhe opozita të mos reformohet.

Enturazhi përreth Berishës, thotë Andoni, nuk po e shpëton PD-në, por po i shkakton asaj dëme afatgjata. Logjika e “tapive” mbi parti, ideja se PD-ja ka një pronar historik, ka shuar lidhjen me origjinën e saj në vitet ’90, me një të djathtë që lindi si revoltë kundër pushtetit absolut dhe jo si pronë private.

Partia Demokratike e sotme, sipas Andonit, është vetëm hija e asaj lëvizjeje që nisi si shpresë. Ajo ka humbur misionin e saj politik, ashtu si edhe Partia Socialiste, e cila, ndonëse në pushtet, ka mbyllur ciklin e vet përfaqësues. Dy parti të mëdha që nuk prodhojnë më vizion, por vetëm mbijetesë.

Andoni e sheh lëvizjen Salianji në PD me disa avantazhe të dukshme: energji, gjuhë direkte dhe një raport më të natyrshëm me publikun. Ai sheh edhe dobësitë dhe mangësitë e kësaj lëvizjeje, duke theksuar së pari mungesën e një dokumenti politik mbi të cilin bazohet lëvizja.

Megjithatë, kriza e madhe e përfaqësimit e ka bërë të pashmangshme lindjen e lëvizjeve të reja politike. Sipas Andonit, vetëm jashtë binomit PD–PS mund të gjendet një zgjidhje reale për Shqipërinë. Ai flet për përvojën shqiptare të lëvizjeve që kanë lënë gjurmë, të cilat jo gjithnjë kanë rezultuar pozitive. Shembulli i Vetëvendosjes dhe i Albin Kurtit tregon një lëvizje që nisi si alternativë radikale dhe përfundoi në një formë të re autokracie. Ndërsa Lëvizja Lapaj, sipas Andonit, mbetet historia e një shansi të humbur, një premtim që u konsumua shpejt, pa arritur të ndërtojë besim dhe strukturë.

Advertisement