Pinknews
Nga falja e tradhtisë, tek mëmësia-Rrëfehet Bora Zemani
Moderatorja e njohur Bora Zemani ka folur hapur së fundmi për faljen në marrëdhënie, duke u ndalur edhe te një nga periudhat më të vështira të jetës së saj personale. Ajo rikujtoi momentin kur partneri i saj aktual, aktori Donald Veshaj, u përfshi në një raport dashuror me këngëtaren Beatrix Ramosaj.
E pyetur për konceptin e faljes dhe kufijtë e saj personalë, Bora u shpreh se falja është pjesë e karakterit të saj, por gjithmonë e ndërgjegjshme dhe pa naivitet.
“Unë fal. Më pëlqen të fal. Unë e kërkoj arsyen për të falur. Te një person, te një situatë, mundohem të kuptoj pse më ka bërë të ndihem keq fillimisht, çfarë ka pasur pas kësaj dhe më pas të marr vendimin të fal ose jo. Natyrisht nuk fal me naivitet, nuk fal se po gënjehem. Fal me koshiencë të plotë, e di ku është gabuar, por unë do e fal, do e tejkaloj këtë gjënë.” u shpreh ajo.
Moderatorja theksoi se falja nuk do të thotë ndryshim i kufijve personalë dhe se këta të fundit mbeten të pandryshuar. Ajo ngriti gjithashtu pikëpyetjen nëse një marrëdhënie duhet të përfundojë që në sfidën e parë apo nëse ekziston gjithmonë mundësia për ta shpëtuar.
“Nuk e bëj duke zgjeruar kufijtë, jo, kufijtë ngelen të njëjtat… Nëse ka mundësi të shkatërrohet një marrëdhënie dhe të prishet, a kishte ndonjë mundësi për t’u shpëtuar kjo marrëdhënie?” – shtoi Bora.
Duke folur për investimin emocional në një marrëdhënie, Bora pranoi se falja nuk është gjithmonë e lehtë, por shpesh e nevojshme për paqen e brendshme.
“Disa herë nuk di të them, por një herë patjetër mund të falësh. Unë e shoh edhe kështu, nëse kam përballë dikë që më bëri 3-4-5 të mira dhe bëri diçka gabim, unë nuk e hedh poshtë. Nuk dua t’i shkatërroj marrëdhëniet. Natyrisht ka edhe gjëra që nuk i fal, por nuk është se ndihem mirë kur nuk fal. Më dhemb brenda vetes, e vuaj.”
Sa i përket jetës familjare, moderatorja zbuloi se planet për zgjerimin e familjes janë diskutuar edhe me Donald Veshajn. Ajo foli për dëshirën e saj për një fëmijë të dytë, duke treguar se do të donte që djali i saj Arbor të kishte edhe një motër.
“Arbori është bërë me një vëlla nga ana e babait, tani vëllain e ka, duhet t’i bëjmë motrën. Një motër për Arborin, por edhe për qejfin e mamit. Mami e do gocën sezben. Më frikëson të jem mami i një goce. E kemi diskutuar në fakt edhe me Donaldin që, kur të vijë një shtatzëni, unë nuk dua ta di fare se çfarë është, as nuk dua t’ia di fare për gjininë. Nëse është djalë, di ta bëj shumë mirë, nëse është vajzë do të jetë lumturi e madhe shumë, po prapë,” – u shpreh ajo në podcastin me Grida Dumën.