Kosova
Teatër politik 1 miliard dollarë/ Çfarë fiton Kosova nga Bordi i Paqes
Në një periudhë kur themelet e rendit botëror të pas Luftës së Dytë Botërore vazhdojnë të lëkunden nga lëvizjet gjeopolitike, presidenti amerikan, Donald Trump, ka hedhur mbi tavolinë një iniciativë po aq ambicioze sa edhe të paqartë: të ashtuquajturin Bord të Paqes, një platformë që disa analistë e shohin më shumë si “teatër politik” sesa si një mekanizëm efikas për t’i zgjidhur kacafytjet mes shteteve në nivel global.
Për vendet që synojnë anëtarësimin e përhershëm në Bordin e Paqes, çmimi i kërkuar nga Trumpi për vitin e parë “të abonimit” është 1 miliard dollarë. Ata që s’e paguajnë këtë shumë do të kenë një mandat të kufizuar trevjeçar.
Duke pasur parasysh pozicionin ndërkombëtar të Kosovës si shtet jo-anëtar i Kombeve të Bashkuara, pa njohje të plotë, ësht pyetur nje vëzhgues i dalluar nëse investimi i Kosovës për një karrige të përhershme në Bordin e Paqes mund të ndikojë në forcimin e pozitës së saj në një instrument potencialisht të fuqishëm ndërkombëtar, që mund të luajë një rol kyç në të ardhmen.
Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Daniel Fried, tha se ende mbetet e paqartë nëse Bordi i Paqes do të ketë ndikim real, prandaj nuk sugjeroi shpenzimin e 1 miliard dollarëve, por shton se pjesëmarrja e Kosovës mund të ndihmojë në përmirësimin e pozitës së vendit të vogël brenda administratës Trump.
“Bordi i Paqes mund të vlejë diçka dhe vendimi i Kosovës është i kuptueshëm. Mund të ndihmojë pozitën e saj në administratën Trump. Por 1 miliard dollarë janë shumë për Kosovën. Anëtarësimi trevjeçar në Bordin e Paqes pa pagesën e 1 miliard dollarëve sa e kuptoj, duket të jetë rruga më e mençur”, konsideroi Fried.