Connect with us

Bota

Koalicioni i frikshëm/ Italia dhe Gjermania forcojnë boshtin e ri të BE, Franca në hije

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kancelari gjerman Friedrich Merz kanë formalizuar në Romë një aleancë të re strategjike, duke nënshkruar një pakt partneriteti që po shihet si gjithnjë e më i rëndësishëm për të ardhmen e Bashkimit Evropian.

“Italia dhe Gjermania janë më afër se kurrë më parë”, deklaroi Merz, duke nënvizuar afrimin mes dy ekonomive kyçe të bllokut.

Marrëveshja përqendrohet në bashkëpunimin në fushat e mbrojtjes, migracionit dhe tregtisë, dhe sipas zyrtarëve italianë, ajo përfaqëson një “qendër të re graviteti brenda BE-se”.

Ky zhvillim vjen në një moment kur Franca, tradicionalisht një nga shtyllat e boshtit evropian bashkë me Gjermaninë, po perceptohet si një partner gjithnjë e më i paqëndrueshëm.

Giorgia Meloni, e cila dikur etiketohej si euro-skeptike dhe populiste, është shndërruar në një aktore pragmatike në skenën evropiane.

Sipas raportimit të gazetës The Telegraph, ajo ka fituar respekt në kryeqytetet evropiane falë lidershipit të saj dhe konsolidimit fiskal të Italisë.  “Meloni është shumë e aftë. Ajo e bën çdo bashkëbisedues të ndihet si personi më i rëndësishëm në dhomë”, citohet të ketë thënë një diplomat i BE-së, duke vënë në dukje rritjen e ndikimit italian.

Në të kundërt, Franca e presidentit Emmanuel Macron po përballet me paqëndrueshmëri politike dhe vështirësi ekonomike.

“A mund të bashkëpunojnë gjermanët me Macronin në këtë moment? Jo realisht. Ai po largohet nga pushteti dhe Franca është e paqëndrueshme. Gjermanët e urrejnë paqëndrueshmërinë”, tha një diplomat evropian.

Megjithatë, Meloni është kujdesur të shmangë çdo perceptim se po synon të zëvendësojë rolin e Francës.

“Unë përpiqem të bëj pjesën time. Nuk jam e interesuar të zëvendësoj askënd. Jam e interesuar që kombet e mëdha të Evropës të dialogojnë për sfidat e mëdha që kemi përpara”, u shpreh ajo.

Historikisht, Gjermania dhe Italia, të dyja vende themeluese të Komunitetit Ekonomik Evropian, kanë përfaqësuar modele të kundërta ekonomike: stabiliteti dhe disiplina fiskale gjermane përballë krizave të shpeshta italiane.

Sot, rolet duket se po ndryshojnë. Nën udhëheqjen e Melonit, Italia po shihet nga Berlini si një partnere më e qëndrueshme sesa Franca, e cila përballet me borxh publik në rritje dhe ngadalësim ekonomik.

Parashikimet tregojnë se ekonomia franceze pritet të rritet me vetëm 0.9% këtë vit, ndërsa borxhi publik mund të arrijë në 120% të PBB-së deri në vitin 2027. Italia, nga ana tjetër, parashikohet të ketë një rritje prej rreth 0.8%, por me një profil fiskal më të qëndrueshëm në sytë e Gjermanisë.

Advertisement