Politike
Bylykbashi: Opozita do ta vërë Ramën në ‘offside’ për reformën territoriale, më herët kemi propozuar 95 bashki
Deputeti dhe njëkohësisht nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, ka shpjeguar strategjinë e opozitës lidhur me hartën e re territoriale, duke theksuar se pjesëmarrja në proces është thelbësore për të mos i dhënë mazhorancës legjitimitet të njëanshëm.
Gjatë bisedës me moderatoren Armela Ferko, Bylykbashi u shprehu se, Edi Rama ndodhet në një pozicion të vështirë politik dhe mund të tentojë ta shkatërrojë qëllimisht procesin, duke i lënë gjërat siç janë. ‘Detyra jonë është ta vëmë Ramën në offside, pra të tregojmë që është në faull,’ u shpreh ai. Ai bëri të ditur se PD-ja nuk nis nga zero. Para tre vitesh e gjysmë, ai ka drejtuar një grup pune që ka konsultuar qarqe të ndryshme dhe ka përgatitur një projektligj zyrtar për ndarjen territoriale me 95 bashki. Ky projekt përfshin edhe konceptin e rajonalizimit, me krijimin e 4–5 rajoneve më funksionale, në përputhje me modelet europiane.
‘Edi Rama e ka e ka lakun aq të shtrënguar, saqë është më i prirur të shkojë ta shpartallojë në mënyrë të qëllimshme dhe t’i lërë gjërat kështu siç janë. Detyra jonë është ta vëmë Edi Ramën në offside, pra, që është në faull në këtë gjë.
Kush janë dy opsionet e tjera? Të dyja janë me rezultat negativ. Rezultati i parë është që ne nuk marrim pjesë nëpër komisione, Rama gjen një lloj legjitimiteti në publik dhe me ndërkombëtarët, për të thënë, nuk ishin aty prezent, unë bëra këtë që mendoj unë se duhet bërë.
Dhe në fund edhe shembull është rasti i reformës territoriale 2014-ës. Pra ne duhet të ishim futur në një moment të caktuar. Sot të gjithë thonë, pse s’u futët? Fajin e ka PD-ja, pse nuk u fut në 2014-ën. A do përsëritet e njëjta histori? Pra, çfarë do të ndodhte në opsionin e dytë negativ?
Ne futemi në reformë, ne bëjmë betejën principiale me propozimet tona, ku na bie barra dhe kemi dhe mundësinë që të japim propozime më të mira të mundshme. Dhe më pas është Rama që do ta tregojë qartazi që ai nuk atij i intereson një gjë që është në dëm të interesit publik, në dëm të interesit politik të gjithëndarë në raport me Bashkimin Europian, integrimin e Shqipërisë, ore në fund të fundit dhe funksionimin e demokracisë lokale.
Dhe thotë, unë e dua kështu. Por ndërkohë, në atë komision, në mënyrë publike, ne kemi bërë debate, kemi dhënë propozimet tona. Nuk mund të thotë njeri që PD-ja nuk ishte, PD-ja nuk kishte ide, nuk bëri propozime, nuk kishte ekspertizë.
Puna për reformën territoriale nuk vjen në zero. Para tre vjet e gjysëm, kam qenë në krye të një grupi pune, kam shkuar nëpër qarqe të ndryshme, kam konsultuar sigurisht me, me faktorë të opozitës dhe kemi bërë ne një propozim zyrtar në formën e projektligjit për ndarjen territoriale me 95 bashki.
Ku nga ana tjetër ne pranojmë dhe konceptin e rajonalizimit. Pra qarqet janë të vogla, le të shkohet drejt rajoneve. Katër, pesë rajone, më funksionale që i përputhen dhe modeleve europiane.
Po ky projektligj mbeti i heshtur nëpër sirtar, nuk u prek për tre vite dhe me kalimin e legjislaturës, tani duhet të ripropozohet. Ka ardhur komisioni, ne e marrim, e azhornojmë qëndrimin tonë, e ridiskutojmë me aleatët dhe ulemi dhe themi, kjo është propozimi ynë. Nga kjo pikënisje.
…
Po t’i thuash banorëve të Sukthit, Manzës dhe Ishmit, që a doni të jeni bashki më vete? Sigurisht që do thonë ata. Pse duhet të shkojmë ne deri në Durrës ndërkohë me karakteristikat që kemi ne mund të kemi bashkinë afër.
Po marr ato të qarkut Durrës. Kruja dhe Fushë-Kruja do të ishin shumë të lumtur që të kishin secila bashkinë e vet, realitete të ndryshme gjithashtu. Bashkimi për arsye elektorale ka dëmtuar mënyrën e funksionimit. Në fakt, Bashkia e Krujës po zbrazet dhe nga institucione të tjera të rëndësishme’, tha ndër të tjera, deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi në SYRI TV.