Connect with us

Politike

Salianji sfidon publikisht Berishën dhe Nokën: Janë dy humbësa serialë të dëshpëruar

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, duke komentuar udhëzimin e ri në parti, është shprehur se kupola drejtuese e PD-së nuk ka asnjë shans që të përjashtojë njeri dhe të përcaktojë anëtarësinë e PD-së. Ai i cilësoi drejtuesit aktualë të PD-së si humbësa serialë.
“Nuk ka asnjë shans që të përjashtojë njeri dhe nuk ka asnjë shans që anëtarësinë në PD ta përcaktojnë ata që janë humbësa serialë në PD. Anëtarësia lidhet me kontribut dhe jo me qëndrime të ndryshme. Nuk lidhet as me interesat personale të askujt prej lidershipit që kanë frikë anëtarësinë.
Parimi në demokraci është që anëtarët në rastin e partive politike përcaktojnë se kush janë drejtuesit e partisë dhe jo e kundërta, që drejtuesit e partisë përcaktokan se cilët janë anëtarët që duan ata për t’i pasur nën hyqëm. Këto janë të gjitha përpjekje të dëshpëruara, të njerëzve të dëshpëruar nga reagimi i demokratëve, nga gjithë mllefi që kanë demokratët për shkak të humbjeve të njëpasnjëshme. Të njëjtat përralla po thuhen prej 13 vitesh. Nuk mban më me të tilla përralla kjo histori. Demokratët duan një PD fituese, duan drejtues partie që të jenë të përgjegjshëm, të mbajnë përgjegjësi për fjalët që thonë, por edhe për humbjet”, tha mes të tjerash Salianji.
Salianji vijoi më tej duke e cilësuar udhëzimin e ri në PD për spastrimin e anëtarësisë si një prej turpeve më të mëdha të shfaqura në publik, megjithëse shtoi se nuk ishte në dijeni nëse këtë udhëzim e kishte nxjerrë Berisha apo Flamur Noka.
“Ky udhëzim është një prej turpeve më të mëdha të shfaqura në publik. Kjo tregon frikën që kanë drejtues të caktuar nga zgjedhjet. Unë nuk e di kush e ka bërë këtë udhëzim, Berisha apo Noka. Gjatë protestës së PD kam qenë aty. Nuk kam shkuar në PD se nuk kam pasur ndonjë aktivitet. S’më ndalon kush të shkoj në selinë e PD-së. Shokojini takimet e mia dhe takimet e palës tjetër, shikoni pjesëmarrjen”, tha mes të tjerash Salianji.

Advertisement