Politike
GJYQESORI/ RAMA: LARG DUART NGA PEZULLIMET
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish dje në podcastin ‘Flasim’ lidhur me përplasjen institucionale të krijuar pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e një ministri, duke theksuar se çështja nuk lidhet me individin, por me parimin e ndarjes së pushteteve. Ai paralajmëroi sot një nismë ligjore për të adresuar boshllëkun që, sipas tij, ka nxjerrë në pah ky rast.
“Dua të ndalem edhe për një sqarim të nevojshëm lidhur me konkluzionet e mbledhjes së grupit parlamentar këtë javë pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sepse përsëri, si zakonisht, fillon qarkullon në ajër një tymnajë interpretimesh nga më të ndryshmet. Edhe një herë tjetër, nuk është çështja tek personi, çështja është tek parimi dhe në këtë rast nuk është tek parimi abstract, por është tek parimi i ndarjes së panegociueshme të pushteteve kushtetuese, që të thotë: një vendim gjyqësor për pezullimin nga detyrat e një ministri, në kuadër të një mase sigurimi penal, ka nxjerrë në pah një boshllëk që është një boshllëk që ekziston sa në koka prokurorësh e gjykatësish dhe, edhe në legjislacionin tonë, përderisa në këtë vend pa kulturë të konsoliduar demokratike, dhe me një drejtësi të pavarur, në moshë shumë të mitur, nuk mjafton fryma e Kushtetutës që është shumë e qartë, po duhet edhe gërma e ligjit, madje gërmë për gërmë për gërmë, qoftë edhe për gjëra elementare si kjo.
Gjykata në ushtrimin e kompetencave të saj ka të drejtë të vendosë masa sigurimi për çdo person nën hetim, këtë nuk e diskuton askush dhe askush nuk është mbi ligjin e këtu biem dakord të gjithë, të paktën të gjithë me fjalë, por unë bie dakord edhe me vepra. Por në të njëjtën kohë ka disa funksione, ku hyn edhe ai i ministrit, të cilat paralizohen nëse ministri pezullohet.