Politike
Ndryshimet në Qeveri/ Meta: Ramës i ka mbetur vetëm të vetëdorëzohet te drejtësia
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka komentuar zhvillimet e fundit politike, si dhe ndryshimet në qeveri të bëra nga kryeministri Edi Rama gjatë ditës së djeshme. Duke folur në një intervistë për Syri.net, Meta theksoi se Rama ka bërë një lëvizje dëshpëruese dhe se i ka ngelur vetëm një rrugë, ajo e dorëheqjes. Sipas Metës, fakti që Rama po e mbron vazhdimisht Mirlinda Karçanajn, tregon se afera e AKSH-it është e Ramës dhe askujt tjetër.
Pjesë nga intervista:
Z.Meta, si i shihni ndryshimet e fundit në Qeveri të Z. Rama?
Meta; Lëvizje dëshpëruese dhe të pashpresa. Qeveria Rama nuk ka më asnjë bazament politik dhe moral. Çdo premtim i bërë 13 vite më parë, sot është mashtrim i provuar dhe zhgënjim i pakthyeshëm. Edhe instalimi i frikës dhe dhunës si i vetmi mjet për të heshtur opozitën dhe nënshtruar qytetarët, nuk i bën më derman. Ramës i ka mbetur vetëm një lëvizje që të tregojë se nuk ka lajthitur pa kthim, që të dorëhiqet dhe të vetëdorëzohet te drejtësia e tij në fund të fundit.
A mendoni se do t’i hiqet imuniteti Znj. Balluku?
Meta; Nuk ka çështje Balluku, por vetëm çështje Rama. Fakti që Rama ja ka refuzuar tre herë dorëheqjen, tregon se problem është ai dhe penguesi i drejtësisë po ai. Fakti që është bërë edhe avokati publik i Mirlindës tregon se afera e AKSH-it është e Ramës dhe askujt tjetër.
Po ndryshimet në Kodin Penal a do e mbronin Ramën nga drejtësia?
Meta; Ato jo vetëm që do e kalonin çështjen e imunitetit në vitin 2012, pra 4 vite para se të bëhej Reforma, e cila solli rekomandimin për çeljen e negociatave, por do turpëronin edhe ata pak mbështetës ndërkombëtarë që për përfitimet e tyre kanë mbyllur sytë për dhunimin e shtetit të së drejtës, zgjedhjeve, parlamentarizmit, llogaridhënies dhe demokracisë në Shqipëri. Neni “mos më prek” që synon Rama e vetëshpall të pandehur botërisht.