Politike
Rama sfidon kritikat: S’mendoj se duhet të zgjedh, ose mik me Mickoskin, ose me shqiptarët
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj kritikave për marrëdhëniet e tij me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke theksuar se miqësia me homologun maqedonas nuk e pengon të ketë marrëdhënie të mira edhe me shqiptarët në vendin fqinj.
Gjatë një komunikimi publik, Rama u përball me një pyetje nga një gazetar, i cili i tha se duket se ai krijon më shumë miqësi me kryeministrat sesa me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
Në përgjigjen e tij, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se Maqedonia e Veriut është një shtet sovran, ku shqiptarët kanë statusin e popullsisë shtetformuese dhe mundësi përfaqësimi në institucionet e vendit.
“Unë nuk mendoj që i ndihmon marrëdhënies vëllazërore mes dy shteteve asnjë ndërhyrje e kryeministrave përkatës në punët e brendshme të shtetit tjetër”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë mjaftueshëm parti politike për të përfaqësuar bindjet dhe qëndrimet e tyre.
“Bile kanë edhe më shumë se ç’duhet për t’i përfaqësuar dhe për t’i shpalosur të gjitha ngjyrat dhe të gjitha opinionet”, deklaroi kryeministri.
Rama theksoi gjithashtu se nuk sheh asnjë problem në faktin që mund të ketë marrëdhënie miqësore si me Mickoskin, ashtu edhe me liderin shqiptar Ali Ahmeti.
“Unë nuk besoj që është ndonjë çudi që të kesh mik edhe Hristijan Mickoskin dhe Ali Ahmetin. Përkundrazi, është diçka pozitive”, tha ai.
Sipas Ramës, miqësitë mes drejtuesve politikë të dy vendeve duhet të konsiderohen si një vlerë e shtuar për marrëdhëniet dypalëshe dhe jo si shkak për polemika.
Në fund, kryeministri kundërshtoi idenë se duhet të zgjedhë mes homologut maqedonas dhe shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
“Nuk mendoj që kam një zgjedhje për të bërë, ose mik me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, ose mik me shqiptarët. Kjo më duket skandaloze si ide, jo më pastaj që të kthehet edhe në pyetje”, përfundoi Rama.