Kronike
Ndjekje si në filma/ Kush është krahu i djathtë i Licëve që ju ‘iku nga duart’ policëve?
Të shtëna me armë janë regjistruar në lagjen Kiras në Shkodër gjatë një aksioni policor për kapjen e Barush Bregut, i njohur si krahu i djathtë i Ibrahim Licit. 39-vjeçari dyshohet se qëlloi në ajër gjatë ndjekjes nga policia dhe u largua në drejtim të paditur.
Një aksion si nëpër filma ka ndodhur sot në lagjen Kiras në Shkodër. Ndërkohë është zbardhur identiteti I të riut që qëlloi me armë ndaj policisë dhe arriti të largohej. Bëhet fjalë për Barush Bregun, krahun e djathtë të Licëve.
Në momentin kur efektivët kanë qenë në ndjekje të tij dhe në një perimetër të afërt, i dyshuari ka qëlluar në ajër dhe është larguar në drejtim të paditur.
39-vjeçari, i njohur si krahu i djathtë i Ibrahim Licit, ka precedentë penalë për drogë dhe armëmbajtje pa leje dhe dyshohet për përfshirje në disa ngjarje të rënda kriminale. Ai u shpall në kërkim pasi dyshohet për përkrahje të autorit të masakrës në Shkodër, Ragip Gila.
Bregu është në kërkim për disa vepra penale, mes tyre “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.
E shkuara kriminale e Bregut
Barush Bregu është arrestuar më parë në maj të vitit 2019, pas një operacioni të përbashkët të RENEA-s, FNSH-së dhe forcave “Shqiponja” në një banesë të marrë me qira në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë.
Ai është dënuar me 4 vite burg për kultivim të bimëve narkotike, vepër e kryer në bashkëpunim në vitin 2016.
Ndërkohë, në vitin 2018 policia i gjeti në banesë një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak, për të cilat ndaj tij u vendos masa e sigurisë “Arrest në burg” për armëmbajtje pa leje.
Autoritetet e konsiderojnë Bregun si pjesë të një grupi kriminal dhe ai është i dyshuar edhe për përfshirje në trafik të lëndëve narkotike dhe ngjarje të tjera kriminale në qarkun Shkodër.
Lidhja me grupin e Licëve
Barush Bregu njihet si krahu i djathtë i Ibrahim Licit, i dyshuar si autor i vrasjes së dyfishtë të vëllezërve Bilali në Shkodër.
Policia dyshon se ai ka ndihmuar Licin në këtë ngjarje të ndodhur më 30 mars 2019, si dhe në aktivitete të tjera kriminale. Sipas hetimeve, Bregu dyshohet se ka qenë personi që e ka ndihmuar Licin në lëvizjet dhe veprimtarinë e tij.
Në një rast tjetër, gjatë një ndjekjeje nga policia në Shkodër, Bregu dyshohet se përplasi me automjetin e tij dy patrulla policie, duke arritur të largohej nga vendi i ngjarjes.
Në një prej operacioneve policore është arrestuar edhe Bajram Çekorja, 21 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar për përkrahje të Barush Bregut.