Bota
Zemërim i madh ndaj Trump/ Vendimi për paqe me Libanin quhet ‘turp kombëtar’ në Izrael
Sipas Channel 12, në Izrael ka shpërthyer zemërim i madh pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi një armëpushim në frontin e Libanit përpara se kabineti izraelit të arrinte të votonte për të.
Njoftimi i Trumpit, i cili erdhi si një “diktat” i jashtëm, shihet nga shumë izraelitë si një turp kombëtar, pasi qeveria dhe pjesa më e madhe e opinionit publik donin që lufta kundër Hezbollahut të vazhdonte derisa të arriheshin objektivat ushtarake.
Kjo ndodh ndërsa forcat izraelite janë ende të pranishme në terren në jug të Libanit dhe po vazhdojnë të godasin objektiva.Gazeta izraelite Haaretz raporton se ushtria izraelite ishte gati të ndalonte zjarrin sonte, por njoftimi i papritur i Trumpit krijoi surprizë dhe indinjatë të thellë brenda radhëve ushtarake dhe politike.
Sipas ish-diplomatit izraelit Shaiel Ben Ephraim, fakti që Izraeli ende nuk ka dhënë një koment zyrtar tregon dy gjëra: së pari, armëpushimi i është imponuar Izraelit nga jashtë; së dyti, kryeministri Benjamin Netanyahu ende nuk di si ta paraqesë këtë vendim para opinionit publik dhe anëtarëve të kabinetit, të cilët janë “të indinjuar dhe të tronditur”.
Ben Ephraim thekson se Izraeli nuk arriti asnjërin prej qëllimeve kryesore të luftës, sigurinë e banorëve të veriut dhe krijimin e një zone tampon deri përtej lumit Litanim, ndërsa trupat izraelite në terren tani rrezikojnë të mbeten të ekspozuara nëse armëpushimi hyn në fuqi menjëherë.
Ky zhvillim vjen pas rreth 45 ditësh luftimesh intensive në këtë raund të ri, me qindra e mijëra viktima kryesisht në anën libaneze, dhe rrit tensionet brenda Izraelit mbi atë që shihet si një “dështim” i ri diplomatik.