Thinking ...
Connect with us

Aktualitet

SHKOLLA NIS ME KAMERA DHE ORAR TE ZGJATUR

Nxënësit janë rikthyer sot në bankat e shkollës, por këtë vit nuk i pret vetëm një kalendar i ri mësimor.

Inteligjenca artificiale hyn zyrtarisht në procesin mësimor, 408 shkolla publike do të ofrojnë aktivitete edhe pas përfundimit të orëve, ndërsa në 20 shkolla kamerat inteligjente do të bëhen pjesë e sistemit të sigurisë.

Janë tri prej ndryshimeve që shoqërojnë nisjen e vitit të ri shkollor dhe që prekin mënyrën se si nxënësit do të mësojnë, sa gjatë mund të qëndrojnë në shkollë dhe si do të monitorohet siguria e tyre.

Risia me shtrirjen më të gjerë është programi “Pas Shkolle”. Sipas ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, këtë vit ai do të funksionojë në 408 shkolla publike në të gjithë vendin.

Programi nuk është i detyrueshëm. Pas përfundimit të mësimit, nxënësit do të mund të zgjedhin mes klubeve dhe aktiviteteve të ndryshme, ndërsa prindërit dhe fëmijët do të vendosin gjatë javëve të para se në cilat prej tyre duan të marrin pjesë.

Më pas do të krijohen klubet dhe qëndrimi i nxënësve në shkollë do të mund të zgjatet me dy orë.

“‘Pas Shkolle’ nuk është program i detyrueshëm, dhe nuk është thjesht një vend ku fëmijët qëndrojnë derisa prindërit të mbarojnë punën”, ka sqaruar Kumbaro.

Ndryshimi tjetër ndodh brenda procesit mësimor.

Ministria e Arsimit ka publikuar një udhëzues që lejon përdorimin e mjeteve të inteligjencës artificiale, përfshirë ChatGPT dhe Gemini, nga mësuesit dhe nxënësit.

Mësuesit mund ta përdorin AI-në për përgatitjen e materialeve, ushtrimeve, pyetjeve, testeve dhe kritereve të vlerësimit, si dhe për t’ua përshtatur detyrat niveleve të ndryshme të nxënësve.

Por teknologjia nuk merr rolin e mësuesit. Vendimi përfundimtar për vlerësimin mbetet përgjegjësi e tij dhe rezultatet e prodhuara nga AI duhet të verifikohen.

Për nxënësit vendoset një vijë tjetër e kuqe: AI mund të ndihmojë për të kuptuar një koncept, kërkuar informacion apo përmirësuar një draft, por kopjimi i drejtpërdrejtë i përgjigjeve konsiderohet cenim i integritetit akademik.

Teknologjia hyn këtë vit edhe në sigurinë e shkollave.

Në kuadër të projektit “Smart City”, 20 shkolla janë pajisur me kamera inteligjente, të cilat sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, do të përdoren për monitorimin dhe parandalimin e situatave që mund të cenojnë sigurinë.

Policia ka paralajmëruar gjithashtu kontrolle të shtuara brenda dhe jashtë perimetrit të shkollave kundër shpërndarjes së narkotikëve, si dhe masa për sigurinë rrugore në oraret e hyrjes dhe daljes së nxënësve.

Kontrollet do të shtrihen edhe te ushqimi. Policia dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të kontrollojnë periodikisht bizneset pranë shkollave për produktet që konsumojnë nxënësit, afatet e skadencës dhe kushtet higjieno-sanitare.

Kështu, rikthimi në banka këtë shtator vjen me një shkollë që kërkon të zgjatet përtej orarit tradicional, të fusë AI-në në procesin e të nxënit dhe të përdorë teknologjinë edhe për mbikëqyrjen.

Nga ChatGPT në klasë te kamerat inteligjente në oborr, shkolla shqiptare nis të hënën një vit ku teknologjia nuk do të jetë më jashtë portës së saj.

Advertisement