Connect with us

Politike

Liderët e majtë mblidhen në Spanjë, Edi Rama pjesë e samitit në Barcelonë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të marrë pjesë në punimet e Samitit “Në Mbrojtje të Demokracisë” në Barcelonë, ku liderë të majtë nga e gjithë bota po mblidhen për të forcuar bashkëpunimin dhe për t’iu kundërvënë rritjes të së djathtës ekstreme.
Pas ndalesës në Romë, kreu i qeverisë shqiptare udhëton drejt Spanjës me ftesë të kryeministrit Pedro Sanchez, organizator i këtij takimi së bashku me presidentin e Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva.
Takimet në Barcelonë zhvillohen në kuadër të një nisme më të gjerë të quajtur “Mobilizimi Global Progresist”, që synon të bashkojë forcat e majta në mbrojtje të demokracisë, institucioneve dhe rendit shumëpalësh.
Sipas agjendës zyrtare, diskutimet do të fokusohen në çështje kyçe si forcimi i institucioneve demokratike, multilateralizmi, lufta kundër dezinformimit dhe rregullimi i hapësirës digjitale, si dhe adresimi i pabarazive.
Një nga aktivitetet kryesore do të jetë samiti i së shtunës me temë “Në Mbrojtje të Demokracisë”, pjesë e një serie takimesh të nisura në vitin 2024 nga Sanchez dhe Lula.
Në Barcelonë pritet të marrin pjesë edhe presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, dhe presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, duke shënuar vizitën e parë të një presidenti meksikan në Spanjë që nga viti 2018.
Samiti zhvillohet në një moment kur politika globale po përjeton tensione të reja, ndërsa vendimet e administratës së presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, përfshirë shkurtimet e ndihmës humanitare, ndërhyrjet ushtarake dhe qëndrimet ndaj NATO-s, kanë tronditur ekuilibrat ndërkombëtarë.
Në këtë kontekst, liderët pjesëmarrës synojnë të hartojnë një deklaratë të përbashkët me veprime konkrete, nga mbrojtja e demokracisë deri te tranzicioni i gjelbër.
Në kuadër të samitit, Rama pritet të zhvillojë edhe takime bilaterale me kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez dhe presidentin e Këshillit Evropian, António Costa.

Advertisement