Connect with us

Shkrime

Dallavere dhe krizë në Kosovë/ Albin Kurti me oreks të madh: Të gjitha ose asgjë

Nga Baton Haxhiu

Dje në Kuvendin e Kosovës, duke folur për çështjen e presidentit, Albin Kurti nuk dha thjesht një qëndrim politik. Ai e shpalosi përsëri një mënyrë të menduari për pushtetin. Një mënyrë ku marrëveshja shihet si dobësi, kompromisi si lëshim dhe kufizimi kushtetues si pengesë. Dhe pikërisht aty nis problemi. Sepse debati nuk është më kush bëhet president, apo si zgjidhet kriza. Debati është çfarë modeli shteti po projektohet përmes kësaj sjelljeje.
Ka një model të përsëritur në sjelljen politike të Albin Kurtit që nuk mund të kalojë më si spontanitet apo si taktikë momentale. Ai e shtyn krizën deri në kufi, i humb ditët që vetë i ka në dorë, nuk e nis procesin kur e kërkon logjika institucionale, madje as kur e kërkon Gjykata Kushtetuese, dhe pastaj, në minutën e fundit, e zhvendos debatin nga përgjegjësia te fajësia. Nuk pyetet më pse nuk u veprua në ditën e parë, por kush është fajtor për ngecjen. Kjo është zhvendosje e vetëdijshme nga qeverisja te rrëfimi.
Kjo lidhet me një prirje më të thellë. Një republikë që është ndërtuar që nga viti 2001 mbi kompromis dhe konsensus, po sfidohet me idenë se shumica jo vetëm qeveris, por duhet të kontrollojë gjithçka. Kjo është pikërisht pika ku shumica fillon të mos jetë më instrument demokratik, por ambicie hegjemonie. Dhe kur kjo shoqërohet me një kulturë ku të gjithë shpallen fajtorë përveç liderit, kemi hyrë në territorin ku politika fillon të prodhojë krizë për ta menaxhuar vetë si shpëtimtare.
Po aq domethënës është kontrasti mes populizmit social dhe boshllëkut zhvillimor. Nuk mund të flitet për qeverisje dinjitoze kur mungojnë investimet serioze, kur projektet kapitale dëmtohen rëndë dhe zbehen, e në vend të tyre shpërndahen miliona si lëmoshë politike për të blerë përkohësisht pëlqim publik. Kjo nuk është shtet social, por paternalizëm elektoral.
Dhe ndoshta shembulli më i qartë i këtij manipulimi është trajtimi i figurave politike sipas nevojës së ditës. Rasti i Vjosa Osmanit e tregon brutalisht. Njëherë përdoret si provë e mungesës së konsensusit te të tjerët, pastaj si figurë që nuk e meriton vetë pozitën. Kjo nuk është evolucion politik, por instrumentalizim i së vërtetës. Kur të njëjtat figura riciklohen si argument sipas interesit, nuk kemi më parim, kemi dallavere.

Dhe pikërisht këtu lind shqetësimi më i madh. Nuk është thjesht çështje hipokrizie politike. Është rreziku që shteti të udhëhiqet nga logjika ku rrëfimi vlen më shumë se institucioni, fajtori më shumë se përgjegjësia dhe shumica më shumë se republika.
Sepse çfarëdo që i ofron Kushtetuta, çfarëdo hapësire që i jep opozita, çfarëdo ekuilibri që ka ndërtuar Kosova si republikë e kompromisit, tundimi i tij duket i njëjtë: të jetë lideri i gjithëpushtetshëm, modeli që rajoni e njeh te Edi Rama, te Hristijan Mickoski, te Aleksandar Vuçiç. Por Kosova është ndërtuar pikërisht për të mos lejuar një sistem të tillë.
Ajo nuk është projektuar për një njeri që i thotë shoqërisë: fajin e kanë të gjithë, më jepni 80 deputetë ose shkojmë prapë në zgjedhje. Kjo nuk është kërkesë për mandat. Kjo është kërkesë për fuqi pa kufij. Dhe republikat nuk rrëzohen vetëm kur sulmohen nga armiqtë e tyre. Ndonjëherë fillojnë të lëkunden kur shumica kërkon të bëhet vetë shteti.

Advertisement