Shkrime
Spiropali e la veten në dorën e diktatorit Rama, kënaqësi perverse për të shkatërruar të tjerët
Nga Agim Nesho
Elisa ishte një nga të rinjtë e shkolluar, me kulturë, e rritur në perëndim që ruante personalitetin e saj, pavarësisht se bënte pjesë në grupet preferenciale të Edi Ramës për të fituar pushtetin dhe konsoliduar regjimin. Ajo nuk ishte pjesë e “bandës së Bashkisë” që ishte përzgjedhur për të administruar pasurinë e vendit, por pjesë e grupimit të Mjaft që do të shkatërronte Partinë Socialiste dhe do të përdorej nga Rama si fasada e marrjes së pushtetit nga gjenerata e re. Edhe në fillimet e karrierës së saj politike, Elisa ka treguar integritet, duke mbrojtur idetë e saj dhe mos u pajtuar me lojërat e Ramës, që luante lojërat e ndyrat e përçarjes nëpërmjet mikro-menaxhimit të Partisë.
Unë e respektoj Elisë për forcën e karakterit për të mbrojtur karrierën e saj, e cila nuk mund të keqpërdoret dhe të hidhet në kosh të plehrave nga ndonjë aventurier politik, që bashkëpunëtorët e tij i zgjedh në funksion të axhendës personale, i keqpërdor dhe i flak tutje si kur të ishin një hiç.
Por unë jam kundër Elisës në diskursin e saj për demokratizimin e Partisë me Diktatorin Rama.
Së pari, Elisa është pjesë e elitës së Rilindjes, që kanë shërbyer për të shkatërruar Partinë Socialiste dhe për ta zëvendësuar atë me Sektin e Rilindjes. Është pikërisht ajo dhe turma e ushtarëve të mirëshvejk që duartrokisnin dhe ngrinin lart kultin e individit të Ramës. Nuk mendoj që një zonjë e shkolluar në Perëndim mund të emocionohej kaq shumë nga një sharlatan “i pashkollë”, përveçse për arsye të pushtetit.
Së dyti, Elisa reagoi me vonesë ndaj Ramës, kur ajo ishte pjesë e skenarit për të zëvendësuar pasardhësit e saj që diktatori i fshinte për 7 minuta e zhdukeshin në heshtje për të konsoliduar pushtetin dhe kontrolluar Partinë. Ajo e la veten në dorën e Satrapit me kënaqësinë perverse të tij për të shkatërruar të tjerët.
Së treti, dhe më e rëndësishmja është se ajo edhe tani në qëndrimet e saj të sakta dhe elokuente harron që nuk ka më Parti Socialiste, por një kazermë ushtarake në funksion të Liderit; flet për “drejtorokracinë” në administratë përpara përfaqësimit politik, kur dihet që shteti është i kapur dhe i personalizuar nga Diktatori; flet për tendencën e Partisë-Shtet që po mbyt shtetin e së drejtës, por harron që shteti është i kriminalizuar me krimin e organizuar dhe Shqipëria është kthyer në një lavatriçe të pastrimit të parave të mafias; shprehet se debati dhe kundërshtia është akt besnikërie?! … Ndaj kujt, Diktatorit?
Elisa me qëndrimet e saj po kryen një hap të vlerësueshëm proteste ndaj kënetës së qelbur që po mbyt Shqipërinë. Ajo, si ish-ministre e jashtme, duhet të flasë për rrezikun që i vjen Shqipërisë nga Aventurieri Rama duke i humbur mundësinë për t’ju bashkuar Bashkimit Europian.
Ajo nuk duhet të presë që Diktatori ta përjashtojë duke mos i vlerësuar besnikërinë, por duhet t’i dalë kundër duke dhënë kontribut në shpëtimin e Partisë Socialiste (nëse ka mbetur diçka prej saj) dhe Shqipërinë. Vetëm kështu do ta kuptojmë se kjo nuk është një lojë e Edi Ramës për ta përdorur edhe për herë të tretë Elisa Spiropalin, në kohën kur maskat janë grisur dhe Rama është bërë i papranueshëm për popullin e tij, por edhe vendet europiane.