Connect with us

Politike

Thellohen hetimet për Ballukun/ SPAK merr në pyetje ish-bashkëpunëtorët dhe disa biznesmenë

Pas kontrolleve të kryera me urdhër të SPAK në zyra, banesa, vila luksoze në jug të vendit apo kompani të ndryshme në kuadër të hetimeve që po kryhen ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, janë marrë në pyetje edhe personat që kanë qenë subjekte të këtyre kontrolleve.

Viola Haxhiademi, ish-sekretare e përgjithshme e Ministrisë së Financave aktualisht drejtoreshë e Koorporatës Elektro-energjitike shqiptare u paraqit të enjten në SPAK ku dha dëshminë e saj, përderisa konsiderohet një prej njerëzve të besuar të ish-ministres nën hetim për abuzime me tenderat e rrugëve.

Shpjegime për hetuesit dha edhe Laureta Omeri, ish-këshilltare dhe një prej bashkëpunëtorëve më të ngushta të Ballukut, që po ashtu iu nënshtrua kontrollit.

Biznesmeni Arbër Abazi, kompanitë e të cilit kanë fituar tendera pranë Ministrisë së Infrastrukturës dha spjegime për dy procedura tenderuese, ndërsa Kujtim Hasa, i kompanisë Rruga Ura në Elbasan iu dorëzoi hetuesve të BKH-së kompjutera që mendohen si prova të vlefshme për hetimin e rastit. Në SPAK gjatë ditëve të fundit janë paraqitur edhe biznesmenë të tjerë në kompanitë e të cilëve janë sekuestruar dokumenta apo kompjutera.

 

 

Në mesin e personave që iu nënshtruan kontrolleve ishin dhe shoferi i Belinda Ballukut, si dhe punonjëset e pastrimit të shtëpisë, të cilët janë pyetur lidhur me banesat e ish-ministres si dhe për detaje të përditshmërisë së saj.

SPAK po e heton Ballukun për tenderin për ndërtimin e tunelit të llogarasë dhe lotet e Unazës së Madhe. Së fundmi po heton pasuritë e ish numrit dy të qeverisë dhe personave të lidhur me të.

Advertisement