Connect with us

Politike

Pazari i fundit Rama-Berisha për bashkitë: Si po ndahet bregdeti në çifliqe

Pazari më i fundit Rama-Berisha duket se po shkon drejt një pakti të ri, i cili pritet të marrë formë në fund të kësaj vere. Partia Demokratike ka kërkuar 100 bashki nga 61 që ekzistojnë sot, por gjasat janë që numri final të ndalet te 81.

Megjithatë, problemi më i madh nuk lidhet thjesht me numrin e bashkive. Problemi është se kjo marrëveshje nuk po ndërtohet mbi logjikën e zhvillimit ekonomik, të demografisë apo të lidhjeve historike e krahinore. Ajo po ndërtohet mbi logjikën e aseteve dhe të interesave ekonomike që prodhojnë territoret.

Siç mësohet nga negociatat që po zhvillohen në mënyrë të mbyllur, po shkohet drejt një copëtimi të ri territorial, pa lidhje organike me historinë, traditën apo strukturën natyrore të zonave. Kufijtë po vizatohen jo mbi bazën e komuniteteve, por mbi bazën e llokmës ekonomike.

Viktima më e madhe e këtij pazari pritet të jetë bregdeti dhe zonat turistike të vendit. Ato po trajtohen si plaçkë politike dhe ekonomike, për t’u vënë më pas në duart e çifligarëve të rinj lokalë që do të prodhojë marrëveshja mes Ramës dhe Berishës.

Nga të dhënat që vijnë prej këtyre negociatave, mësohet se është arritur një dakordësi paraprake për krijimin e bashkive të reja në disa prej zonave më të rëndësishme turistike të vendit.

Velipoja dhe Shëngjini pritet të trajtohen si njësi të veçanta, qoftë duke u bashkuar në një bashki të vetme, qoftë duke marrë secila status më vete. Në skenarin tjetër, Velipoja mund të bashkohet me Nënshkodrën, Bushatin dhe Zadrimën, duke çmontuar bashkinë aktuale të Vaut të Dejës. Ndërsa Shëngjini mund të lidhet me Dajçin dhe Shënkollin.

Në të njëjtën kohë, Partia Demokratike po kërkon me ngulm ndarjen e Kamzës nga Paskuqani, me synimin për të rikuperuar terren politik në Tiranë. Nga ana tjetër, mazhoranca synon të ndajë nga bashkia e madhe zonat e Farkës dhe Petrelës, të cilat janë kthyer në territore me interes të jashtëzakonshëm ndërtimi dhe kapitalesh të errëta.

Pikërisht këtu hyn në lojë pjesa më e rrezikshme e historisë. Në tavolinë nuk janë vetëm interesat politike të dy partive të mëdha. Janë edhe interesat e grupeve ekonomike dhe kriminale që kërkojnë kontrollin e pushtetit vendor në zonat turistike dhe në territoret ku po derdhen miliarda euro në ndërtime.

Mënyra se si po diskutohet reforma territoriale tregon se territori nuk po shihet si organizëm historik, kulturor dhe njerëzor, por si hartë fitimi. Kufijtë po vizatohen me thikë, sipas interesit ekonomik të momentit.

Dhe kjo do të ketë pasoja të rënda. Jo vetëm mbi administrimin lokal, por mbi vetë ekosistemin njerëzor, kulturor dhe natyror të këtyre zonave.

Në shumë prej tyre, shkatërrimi ka nisur prej vitesh. Shembulli më ilustrativ është Himara. Edhe pse është një nga bashkitë me të ardhurat më të larta në vend pas Tiranës, ajo po boshatiset nga popullsia e saj historike dhe po humbet lidhjen me traditën e bregdetit dhe të Labërisë.

Dalëngadalë po mbushet me një popullsi të ardhur pa lidhje organike me territorin, duke deformuar identitetin historik dhe kulturor të zonës. Dhe kjo nuk po ndodh vetëm në Himarë. E njëjta histori po përsëritet në Ksamil, Golem, Lalëz, Shëngjin dhe Velipojë.

Këto zona po kthehen në habitate betoni, të shkëputura nga substrati njerëzor, kulturor dhe tradicional që i bëri dikur të veçanta dhe tërheqëse për turizmin.

Edhe pak vite dhe shumë prej tyre rrezikojnë të mbeten vetëm karakatina betoni pa identitet, pa shpirt dhe pa veçanti kulturore.

Dhe kur një territor humbet identitetin, ai fillon degradimin. Edhe nëse përkohësisht duket sikur po pasurohet./Pamfleti

Advertisement