Aktualitet
Zgjodhi qymyrin në vend të gazit/ Një rrjet miliardash në Ballkan dhe një mungesë që bie në sy: Kosova
Ndërsa gazi po kthehet në armën kryesore të sigurisë energjetike në Evropë, Shtetet e Bashkuara po shtyjnë fuqishëm projekte të reja në Ballkanin Perëndimor. Nga Shqipëria në Bosnje e Hercegovinë, rrjeti i ri po merr formë. Por, në hartën e re që po krijohet, Kosova mungon.
Në pesë vjetët e fundit, qasja e Kosovës ndaj gazit ka qenë më shumë një “tërhiq e mos e këput” sesa një politikë e vendosur. Nga një projekt konkret me mbështetje amerikane, te refuzimi i tij në vitin 2021, e deri te rikthimi i diskutimeve për mundësi të reja këtë vit, vendi është ende pa një drejtim të qartë.
Për një vend si Kosova, ku rreth 90 për qind e energjisë elektrike prodhohet ende nga qymyri, dhe vetëm rreth 10 për qind vjen nga burime të ripërtëritshme si uji, era dhe dielli, është fakt që gazi mund të shërbejë si alternativë për të thyer varësinë e thellë nga një burim i vetëm.
Por, gjatë javëve të fundit, kur SHBA-ja dhe kompani amerikane kanë nënshkruar marrëveshje miliardëshe me disa vende të Ballkanit Perëndimor – për të zgjeruar ndikimin energjetik në rajon – Kosova nuk ka qenë pjesë e kësaj vale investimesh.
Në iniciativa të rëndësishme kanë hyrë: Shqipëria, Kroacia dhe Bosnje e Hercegovina, përfshirë edhe në një projekt të madh për ndërtimin e një tubacioni gazi që synon ta shkëpusë Sarajevën nga furnizimet ruse.
Për sekretarin amerikan të Energjisë, Chris Wright, kjo nënkupton një epokë të re bashkëpunimi me Evropën Qendrore dhe Lindore dhe se projektet e mëdha do të varen nga vetë Kosova pasi 5 vjet më parë, Kosova hoqi dorë nga projekti për ndërtimin e infrastrukturës së gazit, i financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e SHBA-së. Në Strategjinë që u bë për vitet 2022-2031 u parapa mundësia që Kosova të lidhet me rrjetet rajonale të gazit në të ardhmen, dhe që qymyri të hiqet nga përdorimi më së voni deri në vitin 2050, për t’u lënë vend burimeve tjera energjetike.