Connect with us

Bota

SHBA SANKSIONE TE REJA NDAJ IRANIT

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione të reja, të cilat synojnë rritjen e presionit ekonomik mbi Iranin.

Një postim në faqen e internetit të Departamentit të Thesarit të SHBA-së thotë se masat do të prekin 12 individë dhe subjekte “për rolet e tyre në mundësimin e shitjes dhe dërgimit të naftës iraniane në Republikën Popullore të Kinës nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC)”.

“Ndërsa ushtria e Iranit përpiqet me dëshpërim të riorganizohet, ‘Tërbimi’ Ekonomik do të vazhdojë ta privojë regjimin nga fondet për programet e tij të armëve, ndërmjetësit terroristë dhe ambiciet bërthamore”, tha shefi i Thesarit, Scott Bessent.

“Thesari do të vazhdojë ta shkëpusë regjimin iranian nga rrjetet financiare që përdor për të kryer akte terroriste dhe për të destabilizuar ekonominë globale”, shtoi ai.
Sanksionet do të synojnë kompanitë e lidhura me Teheranin, përfshirë nëntë firma, disa prej të cilave janë të bazuara në Hong Kong, sipas Departamentit të Thesarit të SHBA-së.

Nga ana tjetër, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian miratuan të hënën sanksione ndaj kolonëve izraelitë të përfshirë në dhunë kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor, në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme po thellohen edhe më shumë.

Bëhet fjalë për izraelitët që jetojnë në kolonitë hebreje të ngritura në territoret palestineze të pushtuara, të konsideruara të paligjshme nga shumica e komunitetit ndërkombëtar.

Vendimi u bë i mundur pasi qeveria e re hungareze hoqi veton që kishte bllokuar prej muajsh marrëveshjen. Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas, deklaroi se “ishte koha të kalonim nga bllokimi te veprimi”, duke shtuar se “ekstremizmi dhe dhuna kanë pasoja”.

Reagimi i Izraelit ishte i menjëhershëm. Ministri i Jashtëm Gideon Sa’ar e quajti vendimin e BE-së “të motivuar politikisht” dhe pa asnjë bazë reale.

“Është tronditëse që BE zgjodhi të bëjë një krahasim mes qytetarëve izraelitë dhe terroristëve të Hamasit. Është një ekuivalencë morale tërësisht e shtrembëruar”, shkroi ai në X.

Advertisement