Rajon
‘Na falni, ju duam shumë’/ Dy 17-vjeçare hidhen nga kati i 6-të, shkak presioni i provimeve të maturës
Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Greqi, pasi dy vajza 17-vjeçare ranë nga tarraca e një pallati 6-katësh në zonën e Ilioupolit, duke u kapur dorë për dore në momentin tragjik.
Sipas mediave greke, ngjarja ndodhi rreth mesditës në rrugën “Eleftheriou Venizelou”. Hetimet paraprake po e trajtojnë rastin si një skenar të mundshëm vetëvrasjeje, ndërsa njëra prej vajzave humbi jetën në vend, ndërsa tjetra ndodhet në gjendje shumë kritike në spitalin Asklepieio të Vulës, e intubuar dhe nën kujdes intensiv.
Autoritetet kanë gjetur një shënim të lënë nga njëra prej adoleshenteve para ngjitjes në tarracë, ku shkruhej: “Na falni, ju duam shumë”. Në të përmendej gjithashtu presioni dhe ankthi i lidhur me provimet kombëtare të maturës në Greqi, të njohura si “Panellinies”.
![]()
Sipas dëshmive, vajzat kishin kërkuar më herët çelësin e tarracës nga administratorja e pallatit. Pak minuta më pas, ato dyshohet se e mbyllën derën dhe u hodhën në boshllëk. Një fqinj tha se nuk kishte asnjë shenjë paralajmëruese dhe se gjithçka ndodhi shumë shpejt.
Dëshmitarët përshkruajnë skena tronditëse, me britma dhe përplasje të fortë në tokë. Shërbimet e urgjencës EKAB mbërritën menjëherë në vendngjarje, por pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë mjekësore, njëra vajzë nuk mbijetoi.
Ngjarja ka hapur sërish debatin mbi presionin e madh psikologjik që shkaktojnë provimet e maturës në sistemin arsimor dhe ndikimin e tij te adoleshentët.