Aktualitet
Policët në shënjestër? Ekspertët e sigurisë alarmojnë: Të trajnohen më mirë…
Një punonjës i patrullës së përgjithshme të policisë në Kuçovë mbeti i plagosur mbrëmjen e së hënës, teksa ishte duke shoqëruar në komisariat një të dyshuar.
Ngjarja është ende nën hetim për të zbuluar shkaqet e saj dhe nëse janë zbatuar gjithë protokollet e sigurisë nga uniformat blu. Kjo situatë sjell edhe një herë në vëmendje rrezikun me të cilin përballen policët gjatë ushtrimit të detyrës, sidomos kur janë të rinj dhe pa eksperiencë.
Pak ditë më parë, dy efektivëve të policisë së Durrësit iu rrezikua seriozisht jeta, teksa një i dehur dhe pa patentë u përplas qëllimisht me makinën e tyre, çka reflekton sërish pasigurinë e uniformave në rrugë. Ekspertët sugjerojnë trajnime për policët, që të jenë të aftë të parandalojnë përballje të rrezikshme.
“Të mos jenë vetëm kur ndërhyjnë, të kenë mjete neuroparalizuese. Nuk dihet rreziku që të kanoset pas një makine me xhama të zinj. Duhen trajnime, sidomos për policët e qarkullimit rrugor”, tha Fatjon Softa, ekspert sigurie.
Përballjet e policëve me persona të armatosur në rrugë kanë përfunduar edhe në marrje jete, siç ishte rasti i policit të Shqiponjave në Fier, Nevruz Cenaliaj, dy vite më parë, i cili u shpall dëshmor i atdheut.