✦
Thinking ...
Connect with us

Kronike

Sulmi ndaj Gjykatës së Apelit, 33 arrestime mes tyre dhe të mitur

Policia e Tiranës ka arrestuar 33 persona pas akteve të dhunës gjatë protestës së djeshme në kryeqytet, ku u sulmua edhe Gjykata e Apelit. Mes të arrestuarve janë gjashtë të mitur, të moshave 15 dhe 17 vjeç, ndërsa 41 persona të tjerë janë proceduar penalisht.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, personat e arrestuar dyshohet se kanë sulmuar me gurë dhe sende të forta punonjësit e policisë dhe automjetet e tyre. Gjithashtu, gjatë protestës janë dëmtuar kosha mbeturinash dhe tabela të sinjalistikës rrugore, ndërsa disa prej tyre janë dëmtuar edhe me zjarr.

Përplasjet e së martës kanë lënë të lënduar shtatë punonjës policie. Sipas autoriteteve, incidentet janë shkaktuar nga persona të maskuar dhe të dhunshëm, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjeve dhe përcaktimin e përgjegjësive individuale.

Policia ka bërë të ditur gjithashtu se, gjatë shtatë ditëve të protestave, janë arrestuar gjithsej 271 persona. Nga këta, 51 rezultojnë me precedentë penalë për vepra të ndryshme, përfshirë vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje, prodhim dhe shitje të narkotikëve, vjedhje, mashtrim, falsifikim dokumentesh dhe kundërshtim të punonjësve të policisë.

Në listën e veprave për të cilat këta persona kanë precedentë penalë përfshihen edhe prostitucioni, kanosja për dhënien e pasurisë, mbajtja pa leje e armëve të ftohta dhe shkelje në fushën e mjedisit e të qarkullimit rrugor.

Njoftimi i plotë i Policisë së Tiranës

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në lidhje me tubimin e zhvilluar dje:

– U arrestuan në flagrancë 33 shtetas, konkretisht: Rr. C., 18 vjeç, L. S., 21 vjeç, D. D., 26 vjeç, E. B., 19 vjeç, E. T., 19 vjeç, E. G., 36 vjeç, A. A., 21 vjeç, A. H., 23 vjeç, O. Xh., 18 vjeç, E. H., 19 vjeç, Dh. H., 20 vjeç, A. R., 19 vjeç, T. T., 29 vjeç, A. L., 19 vjeç, A. B., 18 vjeç, B. T., 42 vjeç, D. L., 21 vjeç, F. M., 22 vjeç, G. B., 20 vjeç, L. M., 19 vjeç, Q. M., 22 vjeç, A. S., 20 vjeç, Y. I., 31 vjeç, F. L., 29 vjeç, K. P., 18 vjeç, M. M., 18 vjeç, A. B., 42 vjeç, dhe 6 të mitur, të moshave 15 dhe 17 vjeç.

– U proceduan penalisht 41 shtetas.

Këta shtetas dyshohet se, gjatë tubimit, kanë qëlluar me gurë dhe me sende të tjera të forta në drejtim të punonjësve dhe automjeteve të Policisë, si dhe kanë dëmtuar me sende të forta dhe me zjarr koshat e mbeturinave dhe tabelat e sinjalistikës rrugore.

Si pasojë e sulmit dhe dhunës nga ana e personave të maskuar dhe të dhunshëm gjatë tubimit të djeshëm, janë dëmtuar 7 punonjës policie.

Ndërkohë, theksojmë se gjatë 7 ditëve të protestave të dhunshme janë arrestuar 271 shtetas, nga të cilët 51 me precedentë penalë në fushën e vrasjes, plagosjes, armëmbajtjes pa leje, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, prostitucionit, shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, vjedhjes, mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve, mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, pjesëmarrjes në grumbullime të paligjshme, goditjes/kundërshtimit/mosbindjes ndaj punonjësve të Policisë, si dhe në fushën e mjedisit dhe të qarkullimit rrugor.

Advertisement