Connect with us

Aktualitet

“Pa shtyllë kurrizore, iku ajo, e morët vesh o hejjj”/ Eni Vasili largohet nga RTSH?

Shumë prej emrave të njohur mediatikë si opinionistë apo analistë e përkrahën posaçërisht. E çuditshme ishte kjo përkrahje, jo për përmbajtjen, pasi kishin plotësisht të drejtë.

Por është shumë e vështirë në Tiranën mediatike që emrat e njohur të kenë iniciativa të tilla personale të nisura nga mendimi. Përgjithësisht mendohet se ka një “lojë” politike në këto raste. Të gjithë ata që përkrahën ambasadorin janë kandidatë të mundshëm për postin më të ri që është hapur nga “I Gjati”.

E loja duket se doli sheshit. Edi Rama, sipas gjasave, ka vendosur ta çojë Zonjën Eni Vasili në Londër si ambasadore fuqiplotë, që të çojë letrat e saj kredenciale te Madhëria e Tij Karli i III, i cili të paktën flet rrjedhshëm gjashtë gjuhë të botës.

Siç mësohet, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha ka firmosur propozimin për Kryeministrin Edi Rama për ambasadoren e re shqiptare në Britani. Ku, sipas gjasave, kjo është procedurë rutinë, pasi Rama firmën e tij e ka bërë gati me kohë për juristët dhe në shkresë do të vendoset vetëm data.

Kanë mjaftuar këto zëra që në komunitetin e televizionit publik shqiptar të shpërthejë hareja.

“Iku ajo, e morët vesh o hejjj!” shpërthyen njerëzit në korridore dhe në rrjete. Ku emrat që janë konfliktuar me Drejtoreshën e RTSH-së, nuk pritën dekretin që të nxjerrin dufin e tyre.

Gazetarja e Kulturës ia kishte matur kokën me spango Zonjës Eni: “Tani jo ambasadore të shkosh ti, por edhe Shën Pjetri i dytë të shpallesh, e rëndësishme është të zhdukesh e të shkulësh me rrënjë më të keqen që mund t’u ketë ndodhur ndonjëherë njerëzve në atë godinë! Shihemi së shpejti!”

Komentit të Kozeta Kurtit i përgjigjet menjëherë shkrimtarja dhe përkthyesja, Milena Selimi, e cila ka qenë edhe anëtare e Këshillit Drejtues të RTSH-së.

“Pa shtyllë kurrizore, sa shumë dëm vetëm për një vit, kur mendon sa shumë ide do të realizoheshin!”, shkruan ajo.

Ndërkohë, sapo ka marrë dhenë lajmi, emra të njohur që dalin në panele për të mbrojtur Edi Ramën janë larë me shpejtësi dhe kanë veshur kollaret. Me vrik, kanë zbritur nga dhomat para PC-ve ku bëjnë lidhjet live non stop me emisionet e pafundme, për të pirë kafe pranë RTSH-së apo mjediseve ku ndodhen marifetçinjtë e Edi Ramës.

Për t’i çuar një fjalë të gjatit se tani u erdhi radha atyre. Ndërkohë, mjeshtrat e vjetër që kanë parë shumë drejtorë të ikin e të vijnë në RTSH, kanë dalë në lokalet përreth për të shijuar spektaklin. Ku, si në raste të tilla, nuk mungojnë batutat dhe anekdotat. Dhe më e cituara sot ishte: “Paç fatin e Eni Vasilit!”

Një diplomate që la panelet ku lustronte Edi Ramën për të ndërtuar televizionin publik, por vetëm në dukje. Ngase misioni i saj ishte ta fundoste edhe më shumë, ngaqë këtë e ka thënë edhe vetë Edi Rama, i cili e do RTSH-në të kthehet në një parking pa punëtorë, që më vonë aty të bëhen kulla.

Por, siç mësohet, Bashkimi Europian, e në veçanti Gjermania, i kanë thënë një JO të prerë. E Rama ka pranuar të tërhiqet përkohësisht nga plani, duke bërë kurban zonjën Eni, duke e çuar me “ulje” si ambasadore në Britaninë e Madhe. Po në Londër dërgoi edhe Alfred Pezën pas skandaleve të tij edhe më të frikshme, që të rrinte tek gruaja diplomate në ambasadën tonë e fëmijët në shkolla luksoze atje, për t’u kthyer tani si tregtar i Real Estate, ku ka hapur edhe një podcast që e quan “piacë të lartë”. Këto qoka të shpifura, përveç se shkatërruan mediumet publike, po i vënë flakën edhe diplomacisë shqiptare, që i mbushin me “enëra”. Jo më kot batuta e ditës ishte: “Paç fatin e Enit!”/Pamfleti

Advertisement