Bota
Trump: Nuk do të tolerojmë një regjim në Kubë që organizon operacione ushtarake të huaja
Një deklaratë e Donald Trump për Ditën e Pavarësisë së Kubës është shndërruar në një mesazh të fortë gjeopolitik, me tone të ashpra ndaj regjimit në Havana dhe paralajmërime të drejtpërdrejta për të gjithë kundërshtarët e SHBA-së në hemisferën perëndimore.
Në një tekst që shkon shumë përtej një mesazhi ceremonial, presidenti amerikan e paraqet Kubën si një “shtet-paria” që kërcënon sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe premton goditje ekonomike dhe politike kundër regjimit komunist.
Deklarata vjen vetëm pak muaj pas operacionit ushtarak amerikan që çoi në arrestimin e presidentit venezuelian Nicolas Maduro, një zhvillim që Trump e përdor si paralajmërim të drejtpërdrejtë për aleatët socialistë të Karakasit dhe Havanës.
“Kjo është hemisfera jonë dhe kush destabilizon Shtetet e Bashkuara do të përballet me pasoja”, deklaron Trump, duke rikthyer hapur logjikën e Doktrinës Monroe, politika historike amerikane që e konsideron Amerikën Latine zonë ekskluzive influence të Uashingtonit.
Presidenti amerikan akuzon regjimin kuban për shtypje sistematike, mungesë zgjedhjesh të lira, represion ndaj kundërshtarëve politikë dhe shkatërrim të ekonomisë së vendit.
“Regjimi komunist ka zhdukur çdo shpresë për mirëqenie dhe ka mohuar dinjitetin njerëzor”, thuhet në deklaratë, ku Trump sulmon edhe elitën kubane, të cilën e quan “kleptokratike”.
Ai paralajmëron se administrata e tij do të vazhdojë të “presë linjat financiare të shpëtimit” për regjimet e Amerikës Qendrore dhe Jugore që, sipas tij, financojnë operacione kriminale dhe terroriste kundër SHBA-së.
Trump kujton gjithashtu operacionin amerikan kundër Nicolas Maduro-s, duke e cilësuar si “një nga operacionet speciale më të guximshme të brezave të fundit”.
“Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë një shtet-paria që strehon operacione të huaja ushtarake, shërbime inteligjence dhe aktivitete terroriste vetëm 90 milje larg territorit amerikan”, deklaron presidenti amerikan.
Në fund të mesazhit të tij, Trump shpreh mbështetje për popullin kuban dhe komunitetin kubano-amerikan në SHBA, ndërsa premton se Amerika “nuk do të ndalet derisa Kuba të rifitojë lirinë”.

