Connect with us

Shkrime

Një tjetër atentat/ Revolta për largimet, Trump dhe Shtëpia e Bardhë në kaos

Të shtënat e dëgjuara pranë Shtëpisë së Bardhë para pak ditesh, rikthyen për pak çaste hijen e frikës mbi Uashingtonin. Një person i armatosur u neutralizua nga forcat e sigurisë, ndërsa gazetarët që ndodheshin në kompleksin presidencial u dërguan me ngut në sallën e shtypit.

Rreziku për selinë presidenciale nuk ishte i drejtpërdrejtë, por mjaftoi zhurma e armëve që kryeqyteti amerikan të ndiente edhe një herë nervozizmin e një epoke të trazuar. Megjithatë, kërcënimi më i madh për Donald Trump nuk duket se vjen nga rrugët e Uashingtonit.

Ai po lind brenda vetë administratës së tij, e cila po jep shenja të qarta shpërbërjeje. Një nga goditjet më të forta ishte largimi i Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi.

E ngarkuar fillimisht me publikimin e dosjeve Epstein – një premtim i bujshëm i Trump gjatë fushatës – ajo përfundoi në qendër të një tërheqjeje të papritur dhe të pashpjeguar.

Kjo lëvizje tronditi sidomos mbështetësit më besnikë të lëvizjes MAGA, të cilët prej kohësh kërkonin zbardhjen e plotë të çështjes. Arsyet e vërteta të largimit të saj mbeten të paqarta.

Megjithatë, burime të afërta me qarqet e sigurisë pretendojnë se Bondi u ndëshkua sepse nuk kishte pranuar të fshihte mjaftueshëm materiale të ndjeshme. Çështja Epstein vazhdoi të prodhojë pasoja politike.

Kongresmeni republikan Thomas Massie, një nga zërat më të pavarur brenda partisë, humbi mbështetjen politike pasi kishte kërkuar qasje të plotë në dokumentet sekrete. Thuhet se ai pati mundësi të shihte miliona faqe dokumentesh për vetëm dy orë – kohë e mjaftueshme që më pas të deklaronte para mediave: “Nëse publikohet qoftë edhe një pjesë e asaj që kam parë, shumë gjëra do të shemben…”.

Pak ditë më vonë erdhi edhe një largim tjetër që tronditi Uashingtonin: ai i drejtoreshës së Shërbimit Kombëtar të Zbulimit, Tulsi Gabbard. Zyrtarisht, arsyeja lidhej me gjendjen shëndetësore të bashkëshortit të saj.

Por pothuajse të gjitha mediat amerikane e lidhën dorëheqjen me përplasjet e saj me Trumpin mbi çështjen iraniane. Gabbard kishte deklaruar publikisht se Irani nuk zotëronte armë bërthamore dhe se pavarësisht bombardimeve amerikane dhe izraelite, vazhdonte të ruante një pjesë të madhe të kapaciteteve të veta ushtarake.

Për shumë vëzhgues, ky ishte momenti kur u prish përfundimisht marrëdhënia e saj me presidentin. Në prapaskenë qarkullojnë edhe rrëfime më të errëta. Një ish-anëtar i shërbimeve sekrete pretendon se nga zyrat e Gabbard janë larguar dhjetëra kuti me dokumente që lidhen me vrasjet e John dhe Robert Kennedy-t, dokumente që pritej të bëheshin publike.

Sipas disa burimeve, pikërisht ky veprim e shtyu atë të largohej nga detyra e rëndësishme. Ndërkohë, figura të njohura të kampit konservator amerikan, dikur mbështetës të zjarrtë të Trumpit, po e sulmojnë hapur presidentin.

Emra si Tucker Carlson dhe Candace Oëens e akuzojnë atë se ka mashtruar votuesit dhe ka tradhtuar premtimet mbi transparencën dhe luftën kundër strukturave të fshehta të pushtetit.

Pra panorama që krijohet është ajo e një administrate të përçarë, ku mosbesimi dhe luftërat e brendshme po marrin përmasa gjithnjë e më të mëdha. Realiteti amerikan po i ngjan më shumë me një dramë politike se sa stabilitetit që duhet të mishërojë Shtëpia e Bardhë.

Edhe vizita e Trumpit në Kinë, e paraqitur nga shumë media si sukses diplomatik, pati më shumë hijen e një pritjeje të ftohtë sesa shkëlqimin e një triumfi. Në aeroport, presidenti amerikan nuk u prit nga figura më të larta të shtetit kinez, një detaj që në gjuhën e diplomacisë vlen sa një mesazh i qartë politik.

Po ashtu, marrëveshja për blerjen e 100 avionëve Boeing u paraqit si fitore, megjithëse plani fillestar kishte qenë 5 herë më i madh. Ndërsa drejtuesit e mëdhenj të teknologjisë, që Trump i kishte marrë me vete si dëshmi të fuqisë së tij ekonomike, u kthyen në Shtetet e Bashkuara me shumë pak rezultate konkrete.

Në fund mbeti vetëm simbolika: presidenti amerikan duke kaluar mes fëmijëve që valëvitnin flamuj, ndërsa në sfond nuk dëgjohej himni kombëtar, por tingujt e një kënge festive. Një skenë që për kritikët e tij, i ngjan më shumë një shfaqjeje operete sesa madhështisë së një superfuqie botërore./  Nga “Il Sussidiario”

Advertisement