Connect with us

Shkrime

Të dhj*erë por krenarë/Nga Trump në Amerikë, te Rama e Berisha në Shqipëri

Një komunitet i vogël dhe i izoluar në Nebraska, tregon se si mbështetja politike mund të shndërrohet në besnikëri të fortë emocionale, ku realiteti ekonomik dhe problemet e përditshme nuk e dobësojnë lidhjen me liderin. Ky fenomen nuk është vetëm amerikan, por shfaqet në forma të ndryshme edhe në shoqëri të tjera. Shqipëria ofron një shembull të qartë historik dhe bashkëkohor të këtij modeli të kultit të liderit…

Nëntorin e vitit 2024, Donald Trump mori 95.9 për qind të votave në Grant County, Nebraska. Ishte përqindja më e lartë në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Edhe pse çmimet e karburantit po rriten dhe kostoja e jetesës është më e lartë, banorët e këtij komuniteti rural vazhdojnë ta mbështesin presidentin amerikan.

“Trump po bën punën më të mrekullueshme që ka bërë ndonjë president që nga Ronald Reagan!”- thotë Ellen White, një pensioniste 78-vjeçare që ka jetuar pjesën më të madhe të jetës së saj në këtë qark, i quajtur shpesh si “më trumpisti” në Amerikë.

Grant County ndodhet në zonën Sandhills të Nebraskës perëndimore, një rajon i izoluar me kullota të pafundme dhe duna të vjetra të mbuluara me bar. Komuniteti është shumë i vogël dhe i shpërndarë në zona të largëta.

Qyteti i madh më i afërt është Denveri, rreth 434 km larg. Sipas censusit të vitit 2020, këtu jetojnë vetëm 561 banorë. Zona mbahet kryesisht nga blegtoria dhe fermat e bagëtive.

Ka vetëm një restorant, i hapur nga e mërkura deri të dielën, ndërsa mjeku më i afërt ndodhet rreth 110 km larg. Dyqanet e pakta ndodhen kryesisht në Hyannis, qendra e qarkut. Megjithatë, izolimi nuk duket se e ka dobësuar lidhjen emocionale të banorëve me Trumpin.

Përkundrazi. Heidi Merriheë, 64 vjeçe, kuratore në muzeun e Grant County, e përshkruan presidentin si “një njeri të mirë familjar dhe besimtar”.

Mbështetja për Trump vazhdon edhe pse që nga nisja e luftës me Iranin në shkurt, çmimet e karburantit janë rritur ndjeshëm. Merrihew thotë se më parë mbushte kamionçinën Ford F-150 me 50-75 dollarë, ndërsa tani i kushton mbi 100 dollarë.

Megjithatë, ajo nuk e fajëson presidentin.

“Unë nuk e di kë të fajësoj për këtë. Mendoj se problemi është ekonomia jonë. Është e trishtueshme që paguajmë kaq shumë, por mendoj se ai po bën një punë të mirë…”- këmbëngul gruaja.

Për shumë banorë të Grant County, Trump përfaqëson një Amerikë tradicionale dhe konservatore. Stili i tij i drejtpërdrejtë dhe retorika nacionaliste vazhdojnë të kenë jehonë të fortë në këtë komunitet rural. Një banor vendas, që kërkoi të mbetej anonim, i tha The i Paper se presidenti ka “respektin e tij të plotë”.

“Ai nuk ka frikë të trazojë ujërat dhe të thotë atë që mendon. Nëse disa njerëz nuk e pëlqejnë këtë, aq më keq për ta. Trump ka mbyllur kufirin dhe po merret me problemin e migracionit. Mendoj se është një udhëheqës i madh!”- tha banori.

Edhe Brad Ford, i cili drejton një motel në zonë mbetet “100 për qind me Trumpin”. “Nuk kam asnjë ankesë. Po ju çfarë nuk ju pëlqen tek ai?”– pyet 63-vjeçari. Ford mbështet gjithashtu qëndrimin e ashpër të Trump ndaj Iranit, edhe pse kjo ka sjellë rritje të kostos së jetesës për shkak të çmimeve të karburantit.

Ai ka shërbyer në Korpusin e Marinës amerikane gjatë krizës së pengjeve në Iran në vitin 1980 dhe e sheh Teheranin si një kërcënim të vjetër.

“Nëse dikush do të ishte marrë me Iranin shumë kohë më parë, sot nuk do të ishim në këtë situatë”- shprehet ai.

Për Ellen White, problemi nuk është Trump por kompanitë e naftës.

“Shumë njerëz duan ta fajësojnë presidentin për gjithçka, por ai nuk e drejton vendin i vetëm. Ai po përpiqet ta bëjë vendin tonë më të sigurt dhe më të mirë”- deklaron gruaja.

Ajo beson se njerëzit e Grant County ndajnë të njëjtat vlera me Trump: të punuarit fort, patriotizmin dhe traditën konservatore. “Trump është një biznesmen i jashtëzakonshëm dhe i zgjuar. Nuk ka frikë të rrezikojë dhe t’i bëjë gjërat që duhen. Ai po e bën këtë sepse është patriot amerikan. Edhe unë jam e tillë”- përfundoi White.

Krahasimi i pashmangshëm me Shqipërinë

Ajo që ndodh në këtë qytezë të Nebraskës nuk është thjesht një fenomen amerikan. Fanatizmi politik, besnikëria pothuajse e pakushtëzuar ndaj një lideri dhe justifikimi i çdo vendimi të tij, shfaqen në forma të ndryshme edhe në vende të tjera, përfshirë Shqipërinë.

Për dekada me radhë, shqiptarët jetuan nën kultin e Enver Hoxhës, ku udhëheqësi paraqitej si i pagabueshëm dhe çdo kritikë ndaj tij konsiderohej tradhti. Parulla e njohur “Bar do hamë, por parimet nuk i shkelim”, u bë simbol i një besnikërie të verbër, ku sakrifica ekonomike dhe izolimi justifikoheshin në emër të ideologjisë dhe udhëheqësit.

Edhe pas vdekjes së Hoxhës, Ramiz Alia trashëgoi një pjesë të këtij mentaliteti politik, ku partia dhe lideri vendoseshin mbi realitetin ekonomik dhe interesin e qytetarëve. Në forma të ndryshme, ky model shihet ende sot.

Rizgjedhja së fundmi e Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike, në një garë të konsideruar nga shumë si joserioze dhe pa konkurrencë reale, tregoi se kultura e “liderit të përjetshëm” mbetet ende e fortë në politikën shqiptare.

Nëse llogariten vitet si president, kryeministër dhe kryetar partie, Berisha rrezikon të mbetet figura dominuese e së djathtës shqiptare për gati katër dekada dhe ndoshta edhe më gjatë, për sa kohë të jetë gjallë.

Në kampin tjetër, Edi Rama po shkon drejt 16 viteve në krye të vendit, duke u kthyer në figurën më dominuese të politikës së tranzicionit. Gjatë kësaj periudhe mbi një e treta e shqiptarëve kanë braktisur vendin, duke e konsideruar këtë si dështim të modelit qeverisës.

Po ashtu, ka një thellim ekstrem të pabarazisë ekonomike dhe për një ekonomi ku shpesh përmenden ndikimi i krimit të organizuar dhe pastrimit të parave. Megjithatë baza e tij militante socialiste vazhdon ta mbrojë pa lëkundje çdo vendim të qeverisë.

Dhe pavarësisht ndryshimeve historike dhe ideologjike mes Amerikës rurale të Trump dhe Shqipërisë postkomuniste, mekanizmi psikologjik duket i ngjashëm: kur politika kthehet në identitet emocional dhe udhëheqësi në një figurë pothuajse simbolike, mbështetësit nuk e gjykojnë më realitetin, por mbrojnë me çdo kusht figurën e tij./“Pamfleti”

Advertisement