Politike
Balluku po pengon integrimin? Koçiu thyen heshtjen
Qeveria ka miratuar dy vendime në kuadër të aspiratës për anëtarësim në BE. Zv/kryeministrja Albana Koçiu tha se është miratuar udhërrëfyesi për objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm 2030 dhe partneriteti strategjik me agjencitë e OKB.
“Qeveria miratoi sot udhërrëfyesin kombëtar për arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm 2030. Në të janë 65 kritere të matshme që do të orientojnë punën e institucioneve publike. Partneriteti strategjik mes institucioneve dhe qeverisë shqiptare me agjencitë e Kombeve të Bashkuara për vitet 2027-2031”, tha Koçiu.
Koçiu tha se aspirata është që të fillojnë brenda vitit diskutimet për 10 kapitujt përmbyllës.
Ne jemi duke punuar, presim me përfundimin e Konferencës së 8-të Ndërqeveritare, jemi duke pritur rekomandimet për kushtet përmbyllëse dhe aspirata është që brenda këtij viti të kemi filluar diskutimet për 10 kapituj. Duhet të ulemi në tryezë me palën europiane për të diskutuar një nga një gjithë detyrat dhe rekomandimet”, tha Koçiu.
Votimi pro imunitetit të Ballukut, Koçiu: Nuk ka cenim të progresit të Shqipërisë në procesin e integrimit
E pyetur për ndikimin e votimit pro imunitetit të Belinda Ballukut në Kuvend kundrejt negociatave me BE, Albana Koçiu tha se nuk ka asnjë cenim të progresit të Shqipërisë.
“Gjithë këto vendimmarrje nuk e kanë cenuar progresin e Shqipërisë dhe as nuk e kanë vënë në diskutim raportin e saj me drejtësinë. Janë thjesht aludime të opozitës dhe atyre që e përbaltin përditë. Jemi duke diskutuar dhe negociuar për t’i mbyllur grupkapitujt brenda kësaj dekade. Duhet ta pranojnë që i bëjmë detyrat me përkushtim, seriozitet dhe BE na njeh progresin”, tha Koçiu.
Më tej, Koçiu shtoi se mbi raportin IBAR nuk duhet të bëhen interpretime përtej atyre që janë shkruar.
“Raporti IBAR duhet të lexohet mirë dhe qartë, siç është shkruar. Është mirë të mos bëjmë interpretime të gabuara të atyre që shkruhen në raportet e Komisionit Europian sepse është gjuhë teknike që në fund të ditës orienton institucionet për të kryer dhe marrë përsipër angazhimet”, tha zv/kryeministrja.