✦
Thinking ...
Connect with us

Kronike

Zbardhet përgjimi i nënës dhe djalit të akuzuar për vrasjen e Urim Fikut

ELTON QYNO

Hetimet e kryera nga policia e Dibrës, lidhur me vrasjen e 62-vjeçarit Urim Fiku, kanë zbuluar detaje të reja. Në kuadër të veprimeve hetimore për të zbuluar prova të reja në këtë dosje penale, policia e Dibrës mësohet se ka përgjuar në ambientet e dhomës së shoqërimit dy të arrestuarit, Sadete dhe Gazmir Fiku.

Gjatë bisedës që kanë zhvilluar në ambientet e policisë, nëna i ka kërkuar të birit sqarime, duke i pohuar se: “…çfarë ndodhi kështu, si përfunduam kështu…”.

Por djali i saj, Gazmir Fiku, mësohet se ia ka kthyer: “…mos fol tani, sqarohemi kur të dalim…”.

Më tej, i biri i bën me shenjë të ëmës, duke nënkuptuar se në dhomë mund t’i kenë vënë përgjues, duke vijuar biseda të tjera të shkurtra që nuk kanë lidhje me ngjarjen e vrasjes së kryefamiljarit, Urim Fiku.

Dy personat e arrestuar për këtë ngjarje kanë qëndruar shumë të rezervuar, duke treguar se fshehin të vërtetën e asaj që ndodhi me vrasjen e Urim Fikut.

Ndërkohë, policia dhe prokuroria e Dibrës janë në pritje të përgjigjeve të akteve të ekspertimit mjeko-ligjor dhe përgjigjeve balistike të dy armëve të zjarrit, pistoletë, kallashnikov, që u gjendën shumë pranë vendit të krimit.

Arma automatike është gjendur e fshehur në kasollen e banesës dhe në folenë e fishekut kishte një plumb.

Rikontrolli për armë është bërë pasi rreth banesës së viktimës, policia një ditë më parë kishte gjetur 3 gëzhoja automatiku, duke çuar në dyshimin se në vendin e krimit, veç pistoletës, ishte përdorur dhe një armë automatike.

Gëzhojat tashmë janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe pritet që në ditët në vijim t’i nënshtrohen një ekspertize krahasuese balistike me armën tip pistoletë dhe kallashnikovin e sekuestruar.

Gjetja e këtyre gëzhojave në distanca të ndryshme nga njëra-tjetra ka ngritur dyshime të forta se Urim Fiku është ndjekur me vrap nga autori i krimit, i cili ka qëlluar me intensitet drejt Fikut, derisa ai është prekur nga një plumb pas shpine dhe është rrëzuar në tokë.

Autori i krimit më pas dyshohet se e ka qëlluar Fikun me një sëpatë në kokë, duke i dëmtuar rëndë pjesën e kafkës.

Policia dhe prokuroria kanë kërkuar informacion nga mjekësia ligjore për të përcaktuar nëse vdekja e Urim Fikut ka ardhur nga dëmtimi i rëndë i trurit përmes goditjes me sëpatë apo si pasojë e goditjes me një plumb të shkaktuar nga arma e zjarrit.

Hetuesit kanë ngritur dyshime të forta se në këtë ngjarje ka marrë pjesë edhe një person i tretë, që dyshohet se banon aty pranë, për të cilin po punohet me qëllim identifikimin dhe arrestimin e tij.

Për këtë ngjarje të rëndë, policia ka arrestuar djalin dhe gruan e viktimës, Sadete dhe Gazmir Fiku, të cilët janë lënë në masën e “Arrestit në burg”.

Advertisement