Aktualitet
Rekord historik në Rinas! Mbi 1.1 milion pasagjerë vetëm në prill
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) ka mbyllur muajin prill 2026 me rezultate rekord, duke regjistruar numrin më të lartë të pasagjerëve për këtë periudhë n historinë e tij.
Sipas të dhënave të publikuara nga TIA, gjatë muajit prill 1 milionë e 133 mijë e 634 pasagjerë udhëtuan përmes aeroportit, një rritje prej 25.3 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Ky rezultat e bën prillin e këtij viti muajin më të ngarkuar të regjistruar ndonjëherë për aeroportin shqiptar.
Gjatë të njëjtës periudhë, TIA regjistroi 6 mijë e 724 lëvizje ajrore, ose 24.1 për qind më shumë krahasuar me prillin e vitit 2025.
Aktualisht, aeroporti lidh Shqipërinë me 87 destinacione në 28 shtete, përmes 23 kompanive ajrore partnere.
Sipas të dhënave, destinacionet më të preferuara nga pasagjerët mbetën Milano, Londra, Roma, Brukseli dhe Bologna.
Muaji prill solli edhe zhvillime të reja në zgjerimin e rrjetit ajror të aeroportit. Ryanair hapi zyrtarisht bazën e saj në Tiranë me katër avionë, ndërsa Finnair iu bashkua TIA-s si partneri më i ri ajror, duke shtuar Helsinkin në listën e destinacioneve direkte.
Në total, gjatë katër muajve të parë të vitit 2026, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka shërbyer rreth 3.3 milionë pasagjerë, duke shënuar një rritje prej 10.3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.