Politike
Pse nuk u lirua Veliaj? Lala sqaron çfarë ‘fshihet’ pas vendimit të Gjykatës së Lartë
Çështja e masës së sigurisë ndaj Erion Veliajt ka sjellë një debat të gjerë publik dhe juridik, sidomos pas vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë për masën “arrest në burg”. Në emisionin “Skenë Krimi”, me moderator Andi Bora, gazetarja Klodiana Lala shpjegoi pse pritshmëria për lirimin e Veliajt më 28 maj nuk u përmbush.
Sipas Lalës, një pjesë e juristëve kishin argumentuar publikisht se, pas qëndrimit të Gjykatës së Lartë, masa “arrest në burg” duhet të shihej si masa e fundit dhe më ekstreme që mund të vendoset ndaj një personi. Pra, gjyqtari duhet të arsyetojë më parë pse masat më të lehta, si arresti në shtëpi apo detyrimi për paraqitje, nuk janë të përshtatshme.
Gazetarja sqaroi se më 28 maj Gjykata e Lartë nuk po shqyrtonte masën fillestare të sigurisë, pra vendimin e parë për “arrest në burg” të caktuar ndaj Veliajt. Ajo çështje, sipas saj, kishte ndjekur një rrugë tjetër gjyqësore dhe lidhej me momentin e parë kur masa ishte vendosur dhe më pas komunikuar.
Ndërsa në seancën e 28 majit, Gjykata e Lartë kishte në shqyrtim kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë, e cila më parë kishte mbetur në fuqi në Apelin e Posaçëm. Pra, sipas kësaj analize, nuk bëhej fjalë për rishikimin e masës fillestare, por për një kërkesë të re që synonte lehtësimin e pozitës së Veliajt.