Connect with us

Aktualitet

Bashkimi Europian nis diskutimet për mbylljen e tre kapitujve të antarësimit të Shqipërisë

Shqipëria ka hedhur një tjetër hap drejt mbylljes së negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, pasi Komisioni Evropian ka dorëzuar në Këshillin e BE-së tre draft-pozicione të përbashkëta për kapituj negociues që mund të bëhen ndër të parët që do të mbyllen.

Sipas informacioneve të siguruara, grupi i punës për Zgjerimin dhe Vendet Kandidate (COELA) nis diskutimet mbi këto dokumente që prej 5 qershorit.

“Komisioni sapo i ka paraqitur Këshillit tre draftet e pozicioneve të përbashkëta të BE-së për kapitujt përkatës. COELA do të fillojë punën mbi to nga e premtja”, konfirmoi një burim evropian.

Dokumentet zyrtare të Këshillit të Bashkimit Evropian tregojnë se diskutimet lidhen me Kapitullin 25 (Shkenca dhe Kërkimi), Kapitullin 26 (Arsimi dhe Kultura) dhe Kapitullin 30 (Marrëdhëniet me Jashtë), të cilat janë futur në rendin e ditës së mbledhjes së COELA-s më 5 qershor.

Megjithatë, në Bruksel theksohet se është ende herët për të parashikuar se kur mund të arrihet dakordësia mes shteteve anëtare për mbylljen zyrtare të këtyre kapitujve.

“Është shumë herët për të thënë në këtë fazë se kur do të përfundojnë këto diskutime me një marrëveshje që do të mundësonte mbylljen e kapitujve gjatë një Konference Ndërqeveritare të ardhshme”, tha burimi.

Sipas të njëjtit zyrtar, zakonisht nevojiten disa raunde diskutimesh brenda COELA-s përpara se shtetet anëtare të arrijnë një pozicion të përbashkët.

Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pasi Shqipëria përmbushi benchmark-et e ndërmjetme për Klasterin 1 – “Themeloret”, duke fituar të drejtën për të kaluar nga faza e hapjes së kapitujve në fazën e mbylljes së tyre.

Nëse procesi ecën sipas planit, kapitujt 25, 26 dhe 30 mund të jenë ndër të parët që Shqipëria mbyll në negociatat e saj të anëtarësimit, duke shënuar një etapë të re në rrugën drejt Bashkimit Evropian

Advertisement