Aktualitet
Brukseli përgatit planin e ri të zgjerimit: Përfitime para hyrjes në BE
Komisioni Evropian po përgatit një plan të ri për t’u ofruar vendeve kandidate, mes tyre edhe Shqipërisë, përfitime konkrete ekonomike përpara anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Sipas një raportimi të Politico-s, iniciativa bazohet në konceptin e “integrimit gradual”, i cili synon t’u japë vendeve kandidate qasje në disa nga avantazhet e BE-së ndërsa ato vazhdojnë procesin e negociatave dhe zbatimin e reformave.
Burime të Komisionit Evropian i thanë Politico-s se paketa që po diskutohet mund të përfshijë pjesëmarrje në programe të financimit evropian, marrëveshje preferenciale tregtare dhe qasje të pjesshme në tregun unik evropian, me përfitimet që dI të varen nga progresi i secilit shtet.
Ndryshe nga idetë e mëparshme për një “anëtarësim të pjesshëm”, të cilat do t’u jepnin vendeve kandidate edhe disa të drejta politike përpara anëtarësimit, modeli i ri nuk parashikon përfshirjen e tyre në institucionet vendimmarrëse të BE-së. Përfitimet do të jenë kryesisht ekonomike dhe do të jepen vetëm pasi të jenë përmbushur reformat e kërkuara.
Sipas raportimit, Franca dhe Gjermania kanë mbështetur më herët modele të ngjashme, ndërsa Komisioni synon të sigurojë miratimin politik të vendeve anëtare gjatë mbledhjeve të Këshillit Evropian në tetor ose dhjetor.
Qasja në këto përfitime do të vlerësohet rast pas rasti, në varësi të nivelit të përafrimit të legjislacionit kombëtar me atë të Bashkimit Evropian dhe ecurisë së reformave.
Nisma vjen në një kohë kur zgjerimi i BE-së konsiderohet një prioritet strategjik, veçanërisht pas luftës në Ukrainë, por shumë shtete anëtare mbeten të kujdesshme për të mos pranuar vende të reja pa përmbushjen e plotë të kritereve.
Aktualisht Bashkimi Evropian ka nëntë vende kandidate. Mali i Zi konsiderohet më pranë anëtarësimit, ndërsa Ukraina dhe Moldavia kanë hapur negociatat. Serbia, Turqia dhe Gjeorgjia ndërkohë kanë ngecur në proces.
Raporti thekson se Komisioni Evropian po punon paralelisht edhe për mekanizma të rinj mbrojtës që do të lejojnë ndërhyrje më të forta në rast se vendet e reja anëtare shkelin standardet demokratike ose sundimin e ligjit pas anëtarësimit.
Sipas Politico-s, qëllimi i planit është të shmanget një tjetër “dekadë e humbur” në procesin e zgjerimit, duke u dhënë vendeve kandidate stimuj konkretë për të vijuar reformat edhe nëse anëtarësimi i plotë mbetet ende disa vite larg.