Aktualitet
Jurgen Klopp drejt pankinës së Gjermanisë, ish-tekniku i Liverpulit pret shkarkimin e Nagelsman
Sipas raportimeve të gazetarit Ben Xhekobs, Federata Gjermane e Futbollit (DFB) po shqyrton seriozisht mundësinë e emërimit të Jurgen Klop si trajner të ri të kombëtares, mes pasigurive që kanë shoqëruar të ardhmen e Julian Nagelsman.
Burimet bëjnë të ditur se rezultatet e fundit kanë shtuar presionin mbi Nagelsman, i cili rrezikon të humbasë vendin në stolin e “Panzerëve”. Në këtë situatë, drejtuesit e DFB-së kanë nisur vlerësimin e alternativave për drejtimin e ekipit kombëtar.
Jurgen Klop, ish-trajneri i Liverpulit, raportohet se është i interesuar për këtë sfidë dhe se ka pasur kontakte fillestare me përfaqësues të Federatës. Brenda DFB-së, disa figura me ndikim e mbështesin idenë e një ndryshimi në pankinë, duke e konsideruar Klop si kandidatin më të përshtatshëm për të udhëhequr kombëtaren.
Nga ana tjetër, Julian Nagelsman synon të vazhdojë punën në krye të përfaqësueses gjermane dhe nuk ka shprehur dëshirë për t’u larguar. Megjithatë, vendimi përfundimtar pritet të merret nga drejtuesit e Federatës Gjermane të Futbollit.
Deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga DFB, por zhvillimet e fundit lënë të kuptohet se ditët në vijim mund të jenë vendimtare për të ardhmen e pankinës së kombëtares së Gjermanisë.