✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Veliaj i dorëzon avokatit shënimet personale/ Ndreca paralajmëron publikimin

Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka ngritur shqetësimin për vonesën në kryerjen e një ekzaminimi mjekësor, që sipas tij është i nevojshëm për të vlerësuar ecurinë e rikuperimit të frakturës në këmbën e kryebashkiakut të Tiranës.

Pas takimit me Veliajn në burgun e Fierit, Ndreca bëri të ditur se klienti i tij është transferuar në sektorin spitalor të institucionit për të vijuar trajtimin mjekësor. Sipas avokatit, kërkesa zyrtare për kryerjen e ekzaminimit është paraqitur prej afro dy javësh, por deri tani nuk është realizuar.

“Erioni është transferuar në ambientet spitalore të burgut të Fierit, për shkak të këmbës së thyer, e cila kërkon ende rikuperim dhe trajtim mjekësor. Ndërkohë, po bëhen gati dy javë që kemi kërkuar zyrtarisht kryerjen e ekzaminimit të nevojshëm për të vlerësuar ecurinë e konsolidimit të frakturës. Deri më sot, ky ekzaminim nuk është realizuar, pavarësisht kërkesave dhe udhëzimeve të mjekut që ndjek rikuperimin e tij”, deklaroi Ndreca.

Avokati bëri gjithashtu të ditur se gjatë takimit Veliaj i ka dorëzuar disa faqe të shkëputura nga ditari i tij personal. Sipas Ndrecës, në këto shënime janë pasqyruar përgjigjet që kryebashkiaku pretendon se i janë komunikuar nga Ministri i Drejtësisë lidhur me kërkesat e tij.

Ndreca njoftoi se këto faqe do të bëhen publike, ndërsa deri tani nuk ka një reagim nga institucionet për pretendimet e avokatit lidhur me moskryerjen e ekzaminimit.

Advertisement