Politike
PD reagon pas përleshjeve te Parlamenti: Protestuesit u dhunuan me urdhër të Ramës dhe Ballës
Partia Demokratike reagoi pas përplasjeve mes policisë dhe protestuesve gjatë protestës së zhvilluar para Parlamentit, duke akuzuar qeverinë se urdhëroi përdorimin e dhunës ndaj pjesëmarrësve në tubim.
Në një deklaratë për mediat, PD pretendon se policia përdori gaz lotsjellës, topa uji, sprej irritues dhe mjete të tjera të forcës për shpërndarjen e protestuesve, ndërsa akuzon kryeministrin Edi Rama dhe Taulant Ballën për ndërhyrjen.
Demokratët kërkuan lirimin e menjëhershëm të të gjithë personave të ndaluar gjatë protestës, duke i cilësuar ata si protestues paqësorë dhe duke dënuar atë që e konsiderojnë përdorim të tepruar të forcës nga policia. Gjithashtu, PD u bëri thirrje qytetarëve të solidarizohen dhe të mbështesin protestat e organizuara nga lëvizja qytetare.
Deklaratë e Partisë Demokratike të Shqipërisë
Partia Demokratike ndoqi sot me shqetësimin më të madh, skenat e dhunës shtazarake të urdhëruar nga Edi Rama dhe Taulant Balla ndaj protestuesve paqësorë që kishin rrethuar parlamentin.
Me urdhër të Edi Ramës, sot narkopolicia përdori lëndë toksike, gaz lotsjellës të skaduar, përdori spray ariu, lëndë piroteknike, topat e ujit, zvarritjen, përgjakjen e protestuesve paqësorë me një egërsi të papërmbajtur.
Partia Demokratike deklaron se me këto akte, Edi Rama dhe organizata e tij kriminale, shpërfaqin para shqiptarëve moralin dhe fytyrën e tyre kriminale të vërtetë.
Dëshmuan se janë të aftë dhe të gatshëm, të ndërmarrin çdo krim dhe çdo akt për të mbrojtur karrigen e tyre.
Me dhjetëra e dhjetëra protestues u morën forcërisht dhe me dhunë për t’u transferuar në qelitë e komisariateve.
Edhe një herë, kërkojmë lirimin e menjëhershëm, të të gjithë të ndaluarve, protestues paqësorë që po protestonin në përputhje me të drejtën e tyre kushtetuese dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Dënojmë me forcën më të madhe dhunën e egër të ushtruar ndaj tyre dhe u bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë, të bashkohen, të solidarizohen, të mbështesin me të gjithë potencialet e tyre suksesin e pandalshëm të lëvizjes rinore qytetare më të fuqishme që ka njohur vendi nga vitet ’90.