Kosova
Kurti kërkon “rrugëdalje” nga presioni amerikan për gazin përmes portit në Vlorë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se është duke e shqyrtuar mundësinë për ta përdorur gazin e lëngshëm natyror (LNG) nga Shtetet e Bashkuara në të ardhmen, por jo përmes ndërtimit të tubacioneve për furnizim me LNG.
Ndonëse Shtetet e Bashkaura kanë bërë thirrje të vazhdueshme që Kosova të angazhohet në projektin amerikan të LNG-së përmes lidhjes direkte me gypat e gazit që nisen nga Greqia dhe Kroacia drejt Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, kreu në detyrë i qeverisë ka përmendur sërish mundësinë që vendi të prodhojë energji me LNG-në amerikane në Vlorë.
Kosova aktualisht nuk ka asnjë tubacion që e lidh me rrjetet e gazit në rajon, ndryshe nga shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor, kryesisht për shkak të refuzimit të Kurtit, i cili në vjeshtën e vitit 2021 pezulloi projektin me Maqedoninë e Veriut, që parashihej të financohej përmes Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).
Por, zhvillimet e shpejta gjeopolitike kanë bërë që Shtetet e Bashkuara të rikthehen sërish me të njëjtën kërkesë, duke insistuar që vendi të rishqyrtojë pozicionin e saj dhe të përfshihet në projektin e madh amerikan të energjisë në Ballkanin Perëndimor.