Connect with us

Politike

Berisha: Protesta është rruga drejt votës së lirë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përshëndetur raportin e fundit të Komisionit Europian mbi shtetin e së drejtës në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një dokument objektiv që evidenton krizën institucionale në vend.

Në një bashkëbisedim me qytetarët, Berisha vuri theksin te shqetësimet e ngritura nga Brukseli mbi disa prej çështjeve më të ndjeshme, si rasti i Belerit, imuniteti parlamentar dhe vështirësitë në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë.

Sipas Berishës, ky raport dëshmon se realiteti institucional në Tiranë nuk është më i panjohur për partnerët ndërkombëtarë.

“Mario, edhe një herë dua të falënderoj komisionerin MacGreth dhe ekipin e tij për raportin objektiv që kanë hartuar dhe firmosur për gjendjen e shtetit ligjor në Shqipëri. Dhe unë mund t’ju them ju se kjo shënon një hap shumë të rëndësishëm. Një mbështetje e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ju siguroj se ky është një hap i parë dhe se opozita shqiptare do të bëjë gjithçka për të faktuar të vërtetat e këtij vendi pranë Komisionit Europian dhe vendeve anëtare të Bashkimit Europian siç ka bërë gjer sot.

Natyrisht, të dyja format janë të domosdoshme. Një dialog intensiv me Bashkimin Europian, institucionet e tij, komisionin, parlamentin, vendet anëtare, është i domosdoshëm, qeverinë e Shteteve të Bashkuara, për të paraqitur realitetin shqiptar siç është. Por nga ana tjetër, e kam theksuar dhe e theksoj, se protesta dhe vetëm protesta është rruga e realizimit të misionit të opozitës për rikthimin e votës së lirë në Shqipëri.”, u shpreh Berisha./

Advertisement