Kronike
Maskë silikoni dhe paruke/ Zbardhen detaje tronditëse nga atentati, shënjestër nipi i “Ot Kilës”?
Detaje të reja janë zbardhur nga atentati i ndodhur në Elbasan, ku mbetën të plagosur Armando Tomorrica, Renaldo Mançe dhe Biorgi Hoxha. Sipas burimeve hetimore, dyshimet e para janë se objektivi i sulmit mund të ketë qenë nipi i Kastriot Kilës, i njohur me nofkën “Ot Kila”, i cili ka qenë duke frekuentuar të njejtin Bar-Kafe.
Autori i dyshuar kishte marrë masa të posaçme për të mos u identifikuar. Ai dyshohet se ka përdorur një maskë silikoni dhe një paruke me flokë të gjatë, ndërsa ishte i veshur me rroba të errëta, xhup të zi dhe doreza, në përpjekje për të shmangur lënien e gjurmëve.
Hetuesit dyshojnë se sulmi është planifikuar me kujdes. Aktualisht, grupi hetimor po analizon pamjet e kamerave të sigurisë, dëshmitë e personave që ndodheshin në zonë dhe provat e sekuestruara në vendngjarje, me qëllim identifikimin e autorit dhe zbardhjen e plotë të dinamikës së atentatit. Ky i fundit ka arritur të largohet në errësirë përmes disa rrugicave të lagjes “Vullnetari”. Mësohet se pasi ka bërë disa metra me vrap, është ndihmuar nga një automjet dhe janë larguar në drejtim të paditur
Pista kryesore e hetimit lidhet me konfliktet e mëparshme mes grupeve kriminale në Elbasan. Deri në këtë fazë, Policia nuk ka dhënë një njoftim zyrtar për identitetin e autorit apo motivin e sulmit.
Kastriot Kila, i njohur si “Ot Kila”, është një emër i njohur për autoritetet dhe prej vitesh është përmendur në dosje që lidhen me përplasjet kriminale në Elbasan. Ai është konsideruar si kundërshtar i Suel Çelës, i cili, sipas hetimeve të mëparshme, dyshohet se ka qenë i përfshirë në tentativa të ndryshme ndaj tij.
Në të njëjtin konflikt është përmendur edhe Bledar Muça, person i lidhur me grupin e Çapjave, i cili i mbijetoi dy atentateve në Elbasan, përpara se të ekzekutohej në Belgjikë në vitin 2022.
Gjithashtu, në dosjet e drejtësisë është përmendur edhe një tjetër atentat i dyshuar ndaj Elton Kilës, ku sipas hetimeve ishte angazhuar si vrasës me pagesë Nuredin Dumani. Ngjarja nuk u realizua pasi Dumani u plagos pranë Cërrikut dhe më pas u arrestua, duke marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.
Sipas hetimeve paraprake, Armando Tomorrica dhe Renaldo Mançe ndodheshin në verandën e një lokali, së bashku me kamarierin Biorgi Hoxha, kur autori është afruar pranë tavolinës. Dëshmitarët kanë deklaruar se fillimisht ka pasur një përplasje verbale, ndërsa më pas personi ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të tyre.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, ekspertët e Policisë Shkencore sekuestruan gjashtë gëzhoja, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës balistike për të përcaktuar armën e përdorur dhe lidhjet e mundshme me ngjarje të tjera kriminale.