Connect with us

Politike

Fotoja e kapur për dore me Gonzaton/ Iris Luarasi reagon ashpër: Kur fabrikon realitete me AI s’je gazetar, por mashtrues ordiner

Deputetja socialiste e pedagogia Iris Luarasi ka reaguar përmes një postimi në llogarinë e saj në rrjetin social “Facebook” pas publikimit të një fotografie të manipuluar me inteligjencë artificiale. Në këtë fotografi, Luarasi shfaqet duke qëndruar e kapur për dore me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato.

Deputetja e ka cilësuar foton dhe lajmin njëhohësisht homofob dhe mizogjin. “Njoftim urgjent nga bota paralele e portaleve. Kemi një “lajm” që në një klik arrin të jetë njëkohësisht homofob dhe mizogjin. Dy sulme, një foto.”, ka shkruar ajo

Luarasi më pas e konsideron foton dhe lajmin që e shoqëron si të rremë dhe një rast të pastër të dezinformimit të opinionit publik.

“Kjo nuk është gazetari, por është një kurs i shpejtuar se si të dezinformosh. Ironia më e madhe? Unë jam kryetare e nënkomisionit kundër dezinformimit. Dhe ju sapo më dhuruat rastin studimor më perfekt që mund të kërkoja. Sepse dezinformimi nuk është shaka: është tallje ndaj lexuesit, dëm ndaj një diplomati dhe një goditje ndaj vetë standardeve që Bashkimi Europian kërkon nga media shqiptare”, është shprehur më tej ajo.

Postimi i plotë i Iris Luarasit:

Njoftim urgjent nga bota paralele e portaleve. Kemi një “lajm” që në një klik arrin të jetë njëkohësisht homofob dhe mizogjin. Dy sulme, një foto. Efikasitet i vërtetë, vetëm se i vënë në shërbim të gënjeshtrës. Dhe jo vetëm kaq. Foto e publikuar  është punuar me inteligjencë artificiale, që të dukemi sikur jemi kapur për dore. Kjo nuk është gazetari, por është një kurs i shpejtuar se si të dezinformosh.

Ironia më e madhe? Unë jam kryetare e nënkomisionit kundër dezinformimit. Dhe ju sapo më dhuruat rastin studimor më perfekt që mund të kërkoja. Sepse dezinformimi nuk është shaka: është tallje ndaj lexuesit, dëm ndaj një diplomati dhe një goditje ndaj vetë standardeve që Bashkimi Europian kërkon nga media shqiptare. Kush luan me të vërtetën, duhet të përgjigjet edhe për të. Përgjegjësia mediatike nuk është opsion, por është detyrim. Kur fabrikon realitete me AI, s’je gazetar. Je mashtrues ordiner. Liria e medias nuk është leje për të falsifikuar!                                                                                   

Foto e dytë është fotoja origjinale, e paretushuar: në Spaç, aty ku dikur burgoseshin ata që thoshin të vërtetën. Sot disa e keqpërdorin lirinë që të tjerët e paguan me burg, për të fabrikuar urrejtje.

Advertisement