Connect with us

Kronike

7 vite pas atentatit në Tiranë/ Apeli hap sërish dosjen e “Klanit Duka”, SPAK kërkon dënimin e Elis Dukës

Gjykata e Posaçme e Apelit ka shtyrë seancën për shqyrtimin e ankimit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila kundërshton vendimin e Shkallës së Parë që shpalli të pafajshëm Elis Dukën në dosjen e vrasjes së ish-efektivit të Policisë së Shtetit, Santiago Malko.

Seanca nuk u zhvillua pasi mbrojtja e Elis Dukës pretendoi se klienti i tyre nuk ishte njoftuar në përputhje me procedurat ligjore. Pretendimi u ngrit edhe pse avokatët e tij ishin të pranishëm në sallën e gjyqit, duke sjellë shtyrjen e shqyrtimit të çështjes.

Gati shtatë vite pas atentatit ndaj Santiago Malkos, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dënoi me një total prej 130 vite burg pesë të pandehur pjesë të “Klanit Duka”. Si organizator dhe porositës i vrasjes u shpall fajtor Leonard Duka, i cili u dënua me 30 vite burg, ndërsa vëllai i tij, Elis Duka, u shpall i pafajshëm.

Pikërisht këtë vendim SPAK po kërkon ta ndryshojë në Apel, duke kërkuar që Elis Duka të shpallet përgjegjës edhe për akuzat që lidhen me këtë ngjarje.

Për të njëjtën dosje u dënuan me nga 25 vite burg edhe Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku, Dritan Aga dhe Oltion Lona, të cilët gjykata i konsideroi pjesë të grupit që realizoi ekzekutimin e Santiago Malkos.

Leonard Duka u arrestua në Belgjikë në shkurt të vitit 2024 dhe u ekstradua në Shqipëri në muajin gusht të po atij viti, për t’u përballur me drejtësinë shqiptare.

Në këtë çështje janë dënuar me vendime të formës së prerë edhe persona të tjerë, të gjykuar në procese të ndara për shkak të arrestimit të tyre në periudha të ndryshme.

Blendi Teta do të vuajë përfundimisht 25 vite burg, pasi Gjykata e Apelit riktheu të njëjtin dënim në dhjetor 2025, pas prishjes së vendimit nga Gjykata e Lartë.

Po ashtu, Ilir Selmani është dënuar me 28 vite burg për të njëjtën ngjarje. Vendimi i mëparshëm ndaj tij ishte prishur nga Gjykata e Lartë dhe çështja ishte rikthyer për rigjykim. Gjatë këtij procesi, Selmani qëndroi për disa javë jashtë paraburgimit për shkak të përfundimit të afateve të masës së sigurisë, duke u mbajtur në arrest shtëpie nën mbikëqyrje policore, deri në vendimin përfundimtar të Apelit dhe rikthimin e tij në burg.

Santiago Malko u vra më 27 gusht 2019 në Tiranë. Sipas hetimeve, atentati lidhej m një konflikti personal mes tyre pasi dyshohet se Santiago Malko ka rrëmbyer dhe dhunuar babain e vëllezërve Duka, por nuk është përjashtuar dhe pista se Malko mund të jetë vrarë në pamundësi për të eleminuar Ervis Martinajn me të cilin Leonard Duka kishte përplasje për administrimin e llotove.

Prokuroria arriti të zbardhë dinamikën e ngjarjes edhe përmes komunikimeve të siguruara nga platforma e koduar Sky ECC, ku, sipas dosjes hetimore, diskutoheshin organizimi dhe ekzekutimi i atentatit ndaj ish-efektivit të Policisë së Shtetit.

Advertisement