Connect with us

Aktualitet

ÇMIMET E CELULARËVE NËN “LUPË”, Vodafone dhe One detyrohen të nxjerrin paketa më të lira

Ndryshime të rëndësishme pritet të vijnë për abonentët e telefonisë celulare në Shqipëri. Pas një hetimi të thelluar, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur një sërë detyrimesh ndaj Vodafone Albania dhe One Albania, me synimin për të rritur transparencën dhe për t’u dhënë qytetarëve më shumë alternativa me çmime të përballueshme.

Gjatë hetimit janë konstatuar rritje progresive dhe të përafërta të çmimeve, paketa shumë të ngjashme mes dy operatorëve, reduktim i ofertave ekonomike dhe mangësi në dokumentimin e kostove që justifikonin ndryshimet tarifore.

PAKETA MË TË LIRA PËR PENSIONISTËT DHE STUDENTËT

Brenda 90 ditëve, Vodafone dhe One duhet të krijojnë paketa të posaçme dhe më të favorshme për pensionistët, si dhe për studentët e moshës 18–23 vjeç.

Paketat më ekonomike nuk duhet të ofrohen vetëm përmes aplikacioneve. Ato duhet të jenë të disponueshme edhe në dyqanet dhe pikat fizike të shitjes, në mënyrë që të mund të përfitohen edhe nga qytetarët që nuk përdorin kanalet digjitale.

KALIM NË PAKETË MË TË LIRË, PA PENALITETE

Pas përfundimit të kontratës, abonentët duhet të kenë mundësi të kalojnë në një paketë më të lirë, pa penalitete dhe pa pengesa të pajustifikuara nga operatori.

Çdo ndryshim i çmimit, përmbajtjes apo kohëzgjatjes së një pakete duhet t’i komunikohet individualisht abonentit, në mënyrë të qartë dhe të paktën 30 ditë përpara se ndryshimi të hyjë në fuqi.

RRITJET E ÇMIMEVE DUHET TË JUSTIFIKOHEN

Operatorët nuk do të mjaftohen vetëm me njoftimin e një tarife të re. Çdo rritje çmimi duhet të mbështetet në analiza dhe kosto të dokumentuara, ndërsa dokumentacioni përkatës duhet të ruhet për pesë vjet.

Vodafone dhe One duhet gjithashtu të ofrojnë paketa realisht të ndryshme, të sqarojnë procedurat për bartjen e numrit dhe të shmangin klauzolat e paqarta apo të padrejta në kontratat me klientët.

Zbatimi i këtyre detyrimeve do të monitorohet për një vit. Nëse masat nuk zbatohen, dy kompanitë rrezikojnë penalitetet e parashikuara nga ligji.

Për konsumatorët, vendimi mund të nënkuptojë më shumë mundësi zgjedhjeje, oferta më të lira dhe më pak surpriza në faturën mujore.

 

Advertisement