Connect with us

Kronike

Çfarë ndodhi? Gruaja e Florenc Çapjas dhunon gazetarin investigativ

Gazetari investigativ Elton Qyno ka denoncuar një sulm fizik dhe kërcënime të vazhdueshme, të cilat sipas tij lidhen me persona të afërt me grupin kriminal të Çapjave në Elbasan.

Ngjarja mësohet se ka ndodhur pranë ambienteve të Spitalit Amerikan 3, ku gazetari është përballur me një sulm nga bashkëshortja e Florenc Çapjas, i dënuar me burgim të përjetshëm.

Sipas denoncimit, autorja e dyshuar fillimisht e ka goditur gazetarin me telefon dhe më pas me çantë dhe sende të tjera. Pas ngjarjes, Qyno ka bërë kallëzim penal në polici, ndërsa pas verifikimit të pamjeve të kamerave të sigurisë, autoritetet kanë shpallur në kërkim personin e dyshuar.

Gazetari ka deklaruar se para sulmit kishte marrë disa mesazhe kërcënuese nga persona që, sipas tij, kanë lidhje me grupin Çapja.

Elton Qyno ka publikuar ndër vite materiale investigative mbi aktivitetin e grupeve kriminale në Elbasan, përfshirë edhe hetime që lidhen me grupin e Çapjave. Ai është përballur edhe me procese gjyqësore pas hetimeve të SPAK në një dosje që lidhej me grupin e Suel Çelës.

Sipas vendimeve të Gjykatës së Apelit të GJKKO-së dhe Gjykatës së Lartë, akuzat ndaj tij për përfshirje në veprimtari kriminale apo fshirje lajmesh kundrejt pagesës nuk u provuan dhe ai nuk u shpall fajtor.

Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar vendimet për sekuestrimin e telefonave dhe sendeve personale të gazetarit, pas publikimeve të tij mbi komunikime në aplikacionin Sky ECC mes personave të dyshuar të botës së krimit.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të sulmit dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë lidhje me kërcënimet e pretenduara nga gazetari.

Advertisement